Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) ka shpërblyer sot gjashtë biznes plane të cilat kanë pasur idetë më kreative për biznese. Vlerësimi i Biznes-planeve më të mira është bërë nga një juri profesionale, në të cilën janë përfshirë edhe përfaqësues të asociacioneve të biznesit.
Shpërndarjen e këtyre shpërblimeve e ka bërë Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bernard Nikaj.
E ata që i kanë fituar këto shpërblime, janë: Arben Bajramaj – Biznes-Plan për kultivimin e mjedrës, Abetare Domi – Biznes-Plan për ofrimin e ushqimit të shpejtë, Kosovare Rexhepi – Biznes-Plan për rrobaqepësi dhe dizajn, Edita Berani – Biznes-Plan për shërbime, trajtime të mjekësisë fizikale me rehabilitim, Fatmire Kamberaj – Biznes-Plan për qumësht dhe produkte të qumështit si: djathë, kos, mazë dhe Rinor Arifi – Biznes-Plan për bujqësi, kultivimi i bimëve; rozmarina, menta dhe rigon të bardhë.
“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve do të vazhdojë të mbështesë ndërmarrësit e rinj me qëllim të lehtësimit dhe realizimit të planeve të tyre”, ka thënë Nikaj.
Biznes-planet e vlerësuara nga juria profesionale janë shpërblyer me nga 5,000.00 euro të cilat mund të tërhiqen pas regjistrimit të biznesit dhe fillimit të implementimit.
Në garën e Biznes-planeve kanë qenë të ftuar të gjithë ndërmarrësit e rinj potencialë (veçanërisht studentët) që nuk kanë pasur të regjistruar biznese, por të cilët kanë ambicie të zhvillimit të ndërmarrësisë së tyre. /Telegrafi/