Telegrafi

Shpërblehen guidat më të mira në turizmin malor në Kosovë

Kompania “Balkan Natural Adventure”, ka shpërblyer guidat më të mira kosovare, të cilët janë zgjedhur në bazë të komenteve të klientëve të huaj, që kanë vizituar Kosovën gjatë vitit 2016, dhe kanë komentuar në llogarinë e kompanisë dhe në portalin ndërkombëtar të turizmit “Tripadvisor”.

Guida me më së shumti komente është ajo e Gzim Muratit, të cilin e kanë përmendur 7 grupe te ndryshme turistësh, ku secili prej tyre ka vlerësuar Gzimin me një notë me 5 yje, duke dhënë komentet e veta. Gzimi është vlerësuar si një guide i  kujdesshëm, profesional, ndonjëherë edhe “crazy”. Kompania në bazë të këtij rezultati ka shpërblyer Gzimin me pajisje bjeshkatarie.

Guidat tjera janë shpërblyer për komentin më interesant, siç është ai për Mentor Vokshin si “njeriu që na ktheu besimin ne racën njerëzore”, si dhe guidat që janë futur në turizëm këtë vit dhe janë duke avancuar industrinë, si ajo e Adriatik Gacaferit, Astrit Kastratit, Adnan Beqiraj dhe Marigona Gashi.

Gati të gjithë guidat janë nga Rrafshi i Dukagjinit, që është duke marrë primatin e turizmit në Kosovë, me Pejën – si lidere dhe – si qytetin e dytë më të vizituar në Kosovë pas Prishtinës. Në këtë rajon të Kosovës, gjithashtu janë të vendosura kompanitë lidere në turizëm, përderisa Bjeshkët e Nemuna janë bjeshkët më të vizituara ndërkufitare në rajon, respektivisht shtegu “Peaks of the Balkans”, si produkti kryesor.

“Ne jemi kompani e vogël, mirëpo për ne stafi është çdo gjë dhe për këtë edhe konsiderojmë se shpërblimet për staf dhe organizimi i ceremonive të këtilla, është shumë i rëndësishëm”, ka thënë pronari i kompanisë, Nol Krasniqi.

Kjo ngjarje e  “Balkan Natural Adventure”, është ngjarja e vetme e shpërblimeve në sektorin e turizmit ardhës në Kosovë. Shoqatat e organizatave turistike, nuk kanë arritur të bëjnë asgjë në këtë drejtim./Telegrafi/