Shokët e ngushtë Sam Nassif dhe Oliver Greenwald nga Denveri i Shteteve të Bashkuara, e kanë dizajnuar një rreth të posaçëm që vendoset poshtë konit, në mënyrë që të mos përlyhen duart nga akullorja e shkrirë.
Që kur kishin qenë dhjetëvjeçarë, ata kishin dalë me idenë që të krijojnë këtë shtesë nga ‘vafle’ apo biskota, por tani pas katër vitesh i është njohur ky zbulim, transmeton Telegrafi.
“Derisa po ecnim nëpër lagje, i pamë dy fëmijë që i kishin zhytur duart dhe rrobat nga kremi i shkrirë. Por, nëna e tyre ishte e pastër, sepse e kishte mbështjellë konim me facoletë. Në atë moment na lindi ideja, që të bëjmë diçka për këtë problem”, kanë thënë djelmoshat për medie.
Ata kanë provuar mbi 100 lloje të recetave, në mënyrë që ta krijojnë materien adekuate, e cila do ta ndalonte rrjedhjen dhe të ishte e shijshme.
Megjithëse iu është refuzuar patenta për ‘Drip Drop’, ata do të hynë në procesin e rivlerësimit pasi ta kenë vërtetuar këtë edhe matematikisht.
Por 14-vjeçarët nuk kanë mbetur pa u shpërblyer, pasi juria e ‘Dragon Den’ i ka vlerësuar lartë dhe iu ka ndarë 50 mijë dollarë, për kërkime të mëtutjeshme në këtë drejtim.
Njëherësh, ata janë kandidatët më të rinj ndonjëherë, që dalin para kësaj jurie e cila ndihmon me para, të gjithë ata që janë kreativ dhe arrijnë të punojnë diçka unike. /Telegrafi/