Michael Carroll nga Moray i Skotlandës, ka bërë të ditur se ka gjetur punë si shitës i thëngjillit dhe paguhet dhjetë funte në orë, pasi i shpenzoi në tërësi mbi dhjetë milionë euro të fituara në lotari.
Shpenzimin e të gjitha parave në alkool, drogë dhe prostituta dhe jetën që e bëri për dhjetë vite, ai e konsideron si kohën më të mirë të jetës së tij, transmeton Telegrafi.
“Nuk e kthej kohën prapa me pendim, ishin dhjetë vitet më të mira të jetës sime. Kam kaluar shumë mirë, ndërsa tani duhet të përshtatem me atë që mund të bëj”, ka thënë Carroll.
Por, koha e kaluar me shumë para dhe luks të lart, duket se i ka lënë pasojë, pasi që tani ndjehet se është “i lirë dhe i qetë, si dhe shumë i gëzuar që e ka kthyer jetën e vet”.
Në vitin 2002, ai i kishte fituar milionat në lotari, prej kur nisi të konsumonte drogë dhe të vizitonte shtëpitë publike, ndërsa pinte edhe nga dy shishe vodkë në ditë. Disa nga paratë ai iu dhuroi familjarëve dhe shokëve, bleu një banesë, si dhe shpenzoi në vetura të shpejta.
Atë e kishin burgosur për pesë muaj në vitin 2004, për shkak të zhurmës së vazhdueshme që iu bënte fqinjëve, ndërsa dy vite më vonë u dënua me nëntë muaj burg, pasi iu gjetën sasi të mëdha kokaine. Gjatë muajit shkurt të vitit 2010, e shpalli falimentin dhe u regjistrua në një ueb-faqe për të gjetur punë.
Derisa vazhdimisht luan lotari, Carrol ka bërë të ditur se çfarë do të bënte, sikur sërish të fitonte. Ai pretendon se edhe nëse bëhet sërish milioner, do të punonte diku dhe të zgjohej në gjashtë të mëngjesit, vetëm që të mos del nga kontrolli dhe të ketë një jetë normale. /Telegrafi/