Telegrafi

Shpendi, pazare me opozitën për bordet

Politizimi i bordeve të drejtorëve të Ndërmarrjeve Publike është problem që është i shtrirë në gjithë Kosovën. Politika nuk po mundi t’i largojë duart as nga bordet e Ndërmarrjeve Komunale të Prishtinës. Ndonëse nuk ka asnjë kriter, i cili thotë se ketë kompani apo atë tjetrën duhet ta ketë kjo parti apo ajo, një gjë e tillë ndodhi në Prishtinë që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti.

Të gjitha partitë e mëdha politike, pos LDK-së, që janë të përfshira në Asamblenë e Prishtinës, kanë pranuar se kanë pasur marrëveshje me Lëvizjen “Vetëvendosje” që t’i ndajnë bordet e Ndërmarrjeve Publike në mënyrë proporcionale.

Ani pse nuk janë poste politike, ndarjen e anëtarëve të bordeve në mes të partive e ka pranuar edhe shefi i Grupit të Asamblistëve të LVV-së në Prishtinë, Ylli Hoxha. Marrëveshja kishte ndodhur pas emërimit të Komisionit të Aksionarëve të Ndërmarrjeve Publike, të cilët ishin votuar në Asamblenë e Prishtinës. /Zëri/Telegrafi/