Po të mbetej ndërtimi i fabrikës së ujit në Shkabaj, në duart e Shpend Ahmetit, prishtinasit do të vazhdonin ende të kenë reduktime të ujit. Ndërtimi I fabrikës do të mbetej në gjysmë, ashtu edhe siç tregojnë dokumentet zyrtare, shkruan ORAinfo.
Komuna e Prishtinës nuk ka paguar obligimin e saj për ndërtimin e fabrikës së re të ujit në Shkabaj. Sipas dokumenteve zyrtare, kjo komunë ka ndarë vetëm gjysmën e mjeteve për financimin e ndërtimit të Fabrikës së ujit, dhe asnjëherë nuk ka ndarë, e as planifikuar të ndaj pjesën tjetër të obligimeve për ndërtimin e kësaj fabrike.
Shpend Ahmeti, dhe zyrtarët tjerë komunal, pas marrjes së meritave për ndërtimin e fabrikës së ujit, janë zhdukur dhe nuk dëshirojnë të flasin për borxhet e pashlyera ndaj Kompanisë për ndërtimin e fabrikës së re të ujit.
ORAinfo ka dërguar javën e kaluar pyetjet në adresën zyrtare të komunës së Prishtinës, por nuk janë përgjigjur në lidhje me këtë çështje.
Por, për këtë fakt flasin të tjerët.
Zyrtarët e kompanisë rajonale KUR Prishtina, kanë treguar se komuna që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti nuk ka paguar gjysmën e borxhit nga zotimi i marr në fund të vitit 2014 për financimin e fabrikës së re të ujit në vlerë prej 5 milionë euro.
Komuna e Prishtinës këtë shumë të mjeteve obligative nuk e kishte planifikuar asnjëherë ta ndante për ndërtimin e fabrikës së ujit. Sipas buxheteve të komunës së Prishtinës, për vitin 2015, 2016 dhe 2017 vetëm pjesa e parë prej 2.5 milion euro është ndarë, ndërsa pjesa tjetër nuk është planifikuar të ndahet as këtë vit.
“Jo, edhe me tutje nuk kemi pranuar 2.5 milion euro nga komuna e Prishtinës. Ne vazhdojmë të jemi në pritje të kësaj shume ashtu sikur edhe janë zotuar”, është përgjigjur për ORAinfo, Arbërie Zogjani-Hiseni nga KUR Prishtina.
Zotuesit e tjerë tashmë kanë shlyer obligimin, duke mundësuar kështu ndërtimin dhe lëshimin në funksion të fabrikës. Sipas zyrtarëve të Kompanisë së Ujësjellësit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, që udhëhiqet nga Blerand Stavileci, në vitin e kaluar e kanë shlyer obligimin që e kanë marr.
Këtë e konfirmojnë edhe nga zyra MZHE. “Për nderimin e Fabrikës së Ujit në Shkabaj ministria e Zhvillimit Ekonomik, në vitin 2016, ka ndarë 5 milion euro, ashtu siç ka qenë zotimi. Ky financim është bërë sipas marrëveshjes në mes të KRU – Prishtina – MZHE dhe Komuna e Prishtinës. Pagesa është bërë në përputhje të plotë me vlerat e ndara për financim me marrëveshje dhe me këtë rast, të gjitha obligimet e parapara me marrëveshje janë përfunduar dhe me asnjë dokument nuk është planifikuar të ketë shpenzime shtesë”, thuhet në përgjigjet e marra nga MZHE.
Kjo ministri nuk ka dashur të komentoj për borxhet e zotuesve të tjerë, por thotë se është në pritje të raportit përfundimtarë të shpenzimeve në ndërtimin e fabrikës. “Financimi për projektin ka përfunduar dhe pritet raporti për mjetet financiare të shpenzuara, gjë të cilën duhet ta bëjë KRU Prishtina”, thuhet në përgjigjet nga kjo ministri.
Për investimin në Fabrikën e re të ujit të pijshëm në Shkabaj, janë paraparë 35 milion euro, si projekt i financuar nga Qeveria Gjermane përmes Bankës Gjermane për Zhvillim KFW, Komisioni Evropian, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Komuna e Prishtinës.
Në këtë projekt financues kanë qenë të përfshirë, Komuna e Prishtinës me 5 milion euro, Komisioni Evropian me 5 milion euro, Qeveria e Republikës së Kosovës me 5 milion euro, dhe 20 milion kredi Ujësjellësi i Prishtinës nga Banka Gjermane për Zhvillim, ku garantuese e kthimit të kredisë do jetë Qeveria e Kosovës për KUR ”Prishtina”.
Sipas buxheteve në tri vitit e fundit, komuna nuk ka planifikuar asnjëherë subvencionim të këtij projektit.
Projekti është një nga investimet më të mëdha në furnizimin me ujë të pijshëm që nga themelimi i KUR ”Prishtina”, pas ndërtimit të fabrikës në Batllavë që është ndërtuar në vitin 1983.
Projekti përmban këto komponente: Ndërtimi i fabrikës së re të ujit në Shkabaj dhe ndërtimi i rrjetit të ri dhe stacionit të pompimit që mundësojnë kyçje e fabrikës së re të ujit në kanalin e Ibrit dhe në rrjetin tjetër ekzistues. /OraInfo/Telegrafi/