Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Brendshme ka folur për arrestimin e djeshëm të drejtorit të zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Maxhuni tha se kanë pasur një vendim të Qeverisë për të ndalë hyrjen e Marko Gjuriqit dhe disa zyrtarëve të Serbisë dhe atë vendim e kanë zbatuar.
“Ai vendim është ekzekutuar nga njësitë kompetente në pjesën veriore. Ka pas vetëm ndalim-hyrje për Marko Gjuriqin dhe jo ndonjë akuzë tjetër”, u shpreh drejtori i Policisë së Kosovës.
Kreu i Policisë gjatë raportimit në Komision ka mohuar se ka pasur refuzim nga komandanti i policisë në veri për të zbatuar urdhrat.
“Me përgjegjësi e them se nuk ka pas refuzim të urdhrave nga komandanti i Policisë në veri, të gjithë kanë qenë në krye të detyrës”, u shpreh Maxhuni. /Telegrafi/