Kursani ka thënë se kosovarët e rënë në Kumanovë nuk duhet të nderohen me ceremoni shtetërore, sepse kjo do të jepte sinjalin se Kosova qëndronte prapa tyre.
“Nëse të rënët nderohen, do të ishte ngacmim diplomatik. Do të shihej sikur një përkrahje indirekte e Kosovës për konfliktin në Kumanovë. Nëse nderohen për veprimet në Kumanovë, do të ishte sinjal që Kosova i ka dërguar atje. Shkuarja e tyre në Maqedoni ishte vullneti i tyre. Kosova nuk ju qëndron prapa”.
Mirëpo, krejt ndryshe ka deklaruar ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Shkumbin Demaliaj, transmeton Klan Kosova.
“Të rënët e Kumanovës duhet të shpallen heronj. Kosova u ka shumë borxh këtyre djemve. Duhet të krijohet sa më parë një komision i cili do t’i shpallë heronj. Kosovarët nuk morën pjesë në një luftë të huaj, por në luftën për shqiptarët”, tha ai.
Statusi i të rënëve në Kumanovë nuk ishte dilema e vetme e të ftuarve. Kursani dhe Demaliaj kishin mospajtime sa i përket çështjes se nëse ish-luftëtarët e UÇK-së ishin manipuluar ose jo.
“Luftëtarët në Kumanovë ishin të manipuluar”, ka thënë Kursani.
Ndërkaq, Demaliaj ka konsideruar se diçka tjetër i shtyu ata të luftojnë në Kumanovë.
“Duke i njohur për nga afër Beg Rizajn, Mirsad Ndrecajn dhe Xhafë Zymberin, ata nuk kanë mundur të manipulohen. Dashuria e tyre ndaj atdheut i bëri të shkojnë atje, e jo ndonjë forcë manipuluese”. /Klan Kosova/