Site icon Telegrafi

Shpend Ahmeti s’e mban fjalën për çmimin e ngrohjes

Çmimi i ngrohjes që po aplikon aktualisht ngrohtorja “Termokos” në Prishtinë vazhdon të jetë i njëjtë sikurse vitin e kaluar, pavarësisht deklaratës së kryetarit të komunës Shpend Ahmeti, i cili pati premtuar se sivjet ngrohja do të jetë më e lirë se sa vitin e kaluar.

Llogaritet se rreth 12 mijë qytetarë të Prishtinës sa janë të lidhur me ngrohtoren “Termokos”, do të paguajnë çmimin e njëjtë edhe këtë vit, pavarësisht projektit të koogjenerimit. Aktualisht, çmimi për metër katror i ngrohjes në kryeqytet është 1 euro.

Ndërkaq, në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, të cilët i rregullojnë çmimet për kompanitë publike kanë deklaruar se në këtë vit nuk do të ketë lëvizje të çmimeve.

Adelina Murtezaj, zëdhënëse e ZRRE-së, ka thënë se çmimet nuk kanë ndryshuar për shkak se funksionalizimi i këtij projekti ka ndikuar dukshëm në ndryshimin e strukturës së kostove kapitale dhe operative.

“Çmimet duhet të jenë të bazuara në planifikime sa më reale dhe të sakta për kostot operative dhe kostot kapitale, si dhe për sasitë e prodhimit dhe furnizimit me energji termike, e gjithashtu edhe për humbjet në sistemet e ngrohjes qendrore. Gjithashtu përmes këtyre çmimeve ndërmarrjet e ngrohjes qendrore duhet të realizojnë të hyra që i mbulojnë kostot dhe që mundësojnë investime shtesë për të zgjeruar rrjetin dhe numrin e konsumatorëve. Por, në anën tjetër duhet edhe të jenë të përballueshme për konsumatorët”, ka thënë ajo. /Zëri/Telegrafi/

Exit mobile version