Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka komentuar masat e reja kufizuese që ka vendosur Ministria e Shëndetësisë në lidhje me parandalimin e përhapjes së coronavirusit.
Ahmeti, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini thotë se për herë të parë në media po e sheh sistemin e ri të ndalim-qarkullimit në Kosovë.
“Nuk e kam pasur këtë informatë për këto kufizime të reja. Kam pasur informacion se po përgatitet një aplikacion por jo në këtë formë”, tha ai, përcjell Telegrafi.
I pari i Prishtinës thotë se këto janë ngritje drastike e kufizimeve pasi po ndalohet edhe qarkullimi i makinave.
“Unë si kryetar i komunës do të shkoja me masa të thjeshta që janë të kuptueshme nga të gjithë e që nuk kanë shumë komplikime e paragrafë që duhet lexuar. Ne tash e dy ditë u morëm se cilat biznese kanë të drejtë të kalojnë në kufi e tash duhet të merremi gjithë javën me shpjegimin e këtyre rekomandimeve”.
Ahmeti thotë se gjëja më e thjeshtë që duhet t’u themi qytetarëve është që të qëndrojnë në shtëpi.
“Për momentin jam i brengosur për këtë orar të komplikuar të cilën duhet t’ua shpjegojmë qytetarëve”, tha ndër të tjera Shpend Ahmeti./Telegrafi/