Klubi më i trofeshëm në Kosovës, KF Prishtina në këtë sezon është duke kaluar në një krizë të rezultateve, dhe një gjë e tillë e shqetëson kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Por, Prishtina nuk e ka vetëm një skuadër në Superligën e Kosovës, është edhe Hajvalia, e cila është duke luftuar për titull në këtë sezon dhe ky fakt e gëzon Ahmetin.
“Dy skuadra të Prishtinës garojnë në Superligë në futboll. Hajvalia e cila po lufton për titull dhe Prishtina e cila po lufton për të mbetur në ligë. Përderisa Hajvalinë e përgëzojmë për sukses, nuk kemi si të mos brengosemi për situatën në të cilën ndodhet KF Prishtina. Në prag të anëtarësimit të Kosovës në UEFA, klubi më i suksesshëm Kosovar, i privatizuar para ca viteve, lëre që nuk ka gjasa për të garuar në Evropë, por po rrezikon mbetjen në Superligë”, ka shkruar Ahmeti.
Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se do të bëhet një analizë e gjendjes aktuale te KF Prishtina, dhe së bashku me drejtuesit e klubit të investojnë që të rimëkëmbin klubin e kryeqytetit.
“Ne do të iniciojmë një analizë të gjendjes dhe do të fillojmë diskutimet edhe me drejtuesit e klubit dhe me të tjerët për një plan afatgjatë të rimëkëmbjes se klubit tonë. Ky plan është i domosdoshëm ashtu siç janë edhe investimet”, ka shkruar Ahmeti.
KF Prishtina aktualisht është në zonën e rrezikshme, me vetëm 21 pikë në po aq ndeshje të zhvilluara, dhe mban vendin e 10, me Vushtrrinë e Istogun me më pak pikë se ajo.