Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka reaguar lidhur me aksionin e sotëm policor. Ahmeti theksoi se lidhur me ndërtimet pa leje dhe tjetërsimet e pronave komunale ka kohë që kanë deponuar kallëzime penale dhe kanë kërkuar hetime urgjente. Lidhur me këtë tha se dita ditës po bëhet e qartë pse gjithë ajo zhurmë në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Lexoni të plotë postimin e Shpend Ahmetit:
“Ka më shumë se dy vite që flasim për atë që ka ndodhur në komunën e Prishtinës, prej ndërtimeve pa leje e deri te tjetërsimet e pronave komunale. Kemi thënë që shifrat janë marramendëse. Kemi deponuar kallëzime penale e kemi kërkuar hetime urgjente.
Krimi i organizuar ka qenë i thellë dhe gjithëpërfshirës. Këto bastisje që po ndodhin sot tashmë kanë prekur edhe ish drejtuesit në Komunë e ndërmarrje publike të Prishtinës.
Sabedin Haxhiu ka qenë edhe drejtor në kadastër edhe drejtor i Ndërmarrjes Publike Banesore.
Besoj se po bëhet dita ditës me e qartë se pse gjithë ajo zhurmë në Kuvendin Komunal. Po ashtu, po bëhet më e qartë se pse nuk duhet të lejojmë kthimin e ndërmarrjeve publike komunale në duar të krimit.
Ne nuk do të ndalemi në këtë luftë kundër krimit, korrupsionit dhe të këqijave në vendin tonë”. /Telegrafi/