Telegrafi

Shpend Ahmeti mohon të ketë anuluar takimin me nxënësit e gjimnazit “Ahmet Gashi”, thotë se disa persona po tentojnë ta politizojnë këtë çështje

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka mohuar deklaratën e lëshuar nga Këshilli i nxënësve të gjimnazit “Ahmet Gashi” në Prishtinë, ku thuhet se kryetari Ahmeti pasi pranoi të takohet me ta, kishte anuluar takimin.

Ahmeti në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se kjo nuk është e vërtetë.

Ai ka potencuar se ka zhvilluar takim me nxënësit, profesorët dhe drejtorin e kësaj shkolle.

Lexo po ashtu Nxënësit e gjimnazit "Ahmet Gashi": Kryetari Ahmeti njëherë pranoi të takohet pastaj anuloi takimin

“Nuk është e vërtetë. Unë i kam takuar sot edhe nxënësit edhe profesorët dhe drejtorin. E kemi sqaruar keqkuptimin dhe atë që e kemi thënë që tre muaj. Tendencat nga disa për të politizuar duke shpërndarë thashetheme dhe gënjeshtra tek nxënësit nuk kalojnë”, ka thënë Ahmeti.

Ndryshe, nxënësit e gjimnazit “Ahmet Gashi” në Prishtinë, kanë protestuar sot kundër vendimit të drejtorisë së arsimit në Prishtinë për mbylljen e kësaj shkolle.

Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Shpresa Shala ka bërë të ditur se deri te vendimi për mbylljen e këtij gjimnazi ka ardhur si rezultat se objekti nuk i plotëson kushtet për të vijuar mësim. /Telegrafi/