Telegrafi

Shpend Ahmeti përkujton Enver Hadrin

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka kujtuar Enver Hadrin, i cili u vra në Belgjikë para 26 vitesh, ku përgjegjësit e kësaj vrasje u dënuan me burg të përjetshëm.

Ahmeti në një postim në rrjetin social Facebook, shkruan se që atëherë dihej se vrasja ishte kryer nga shërbimet serbe/jugosllave.

Lexoni të plotë postimin e Ahmetit në Facebook:

“Në vitin 1990 në Bruksel me një plumb në kokë vritet aktivisti i drejtave të njeriut, Enver Hadri. Hadri ishte shumë i respektuar edhe në qarqet ndërkombëtare.

Që atëherë dihej që vrasja është kryer nga shërbimet serbe/jugosllave. Por, këto ditë gjykata e Belgjikes më në fund shpalli fajtor dhe dënoi vrasësit. Kriminelë të nëntokës ishin angazhuar nga Sigurimi Shtetëror serb për ta vrarë Hadrin.

Edhe sot vrasja e Hadrit konsiderohet gabimi më i madh i DB-së sepse Hadri ishte edhe i njohur edhe i “mbrojtur” nga struktura shtetërore belge. Disa nga vrasësit e Hadrit janë vrarë menjëherë nga vetë porositësit e vrasjes së Hadrit e disa janë në ikje. Ndërsa porositësi i këtij krimi Veselin Vukotic i DB është në pension në Beograd.

Janë dashur 26 vite por drejtësia është vënë në vend. Më shumë se dënimi i dorasëve, me rëndësi ka qenë zbardhja e rastit, e që shpresojmë do të zbardh edhe më shumë strukturat kriminale shtetërore të asaj kohe, e mbetjet e të cilit janë edhe sot prezentë gjithandej”.