Adhuruesit e futbollit kosovar me padurim janë duke pritur xhiron e fundit në Superligën e Futbollit në Kosovë.
Drita është lider aktualisht në tabelë me tri pikë më shumë se Prishtina.
Ndeshja e fundit në Superligë do të luhet mes këtyre dy skuadrave që do ta diskutojnë edhe titullin e kampionit.
Prishtinës i nevojitet vetëm fitorja me dy gola epërsi për tu shpallur kampione, ndërsa Dritës i mjafton barazimi për ta bërë një gjë të tillë.
Problemi mbetet tek stadiumi, ku Prishtina deri më tani ka zhvilluar ndeshjet në Pejë.
Për ndeshjen e fundit klubi kryeqytetas ka bërë kërkesë që të hapet stadiumi i tyre për tu luajtur ndeshja ndaj Dritës.
Mbështetje klubi bardh e kaltër ka marrë edhe nga i pari i Komunës, Shpend Ahmeti.
Ahmeti ka njoftuar se kanë dërguar kërkesë zyrtare në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe në FFK.
“Edhe zyrtarisht e dërguam kërkesën në Ministri e Federatë që loja e fundit Prishtina – Drita të luhet në Stadiumin tonë të qytetit në Prishtinë”, shkroi Ahmeti në profilin e tij në Facebook. /Telegrafi/