Shpend Ahmeti, ish kryetar i Prishtinës dhe njohës i politikës amerikane ka komentuar nominimin dhe përbërjen e kabinetit qeverisës të presidentit të sapozgjedhur amerikan Donald Trump.
Ahmeti në RTV Dukagjini ka thënë se sa i përket administratës së re amerikane, Ukraina do të determinoj rrjedhën politike.
Gjithashtu, përveç Ukrainës ai ka thënë se një determinante tjetër është edhe Bosnja dhe Hercegovina.
Por sipas Ahmetit, as dialogu mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel me administratën e re amerikane nuk do të ndalet.
“Absolutisht nuk shoh asnjë variantë. Në qoftë se shkojmë kah Asociacioni dhe jo ndryshimi i kufijve unë mendoj se secili politikan që ju thotë qytetarëve që nuk do ta zbatoj Asociacionin, ose nuk do të jetë në pushtet ose po rren. Ky është obligim të cilin e kemi marrë. Dihet që në SHBA hyhet në listë Non Grata për moszbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat Amerika i përkrahë. Ka njerëz që kanë hy në listën e zezë amerikane për shkak të Marrëveshjes së Dejtonit, ka njerëz që kanë hy për shkak të Marrëveshjes së Ohrit edhe do të ketë njerëz që do të hyjnë për shkak të Marrëveshjes së Ohrit tonë (mes Kosovës dhe Serbisë)”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se nëse ndryshon qasja dhe shkohet në drejtim të ndryshimit të kufijve, atëherë në atë temë do të merren të gjithë.