Pasi Florim Beqiri, një prej librashitësve në Prishtinë sot u ankua në rrjetin social Facebook se e kanë kërcënuar se do t`ia marrin vendin e librave nëse nuk e paguan qiranë, vetë i pari i Prishtinës i ka dalë në ndihmë.
Florimi ka kërkuar që nesër qytetarët të blejnë librat në lirim prej 1 euro, vetëm që ai ta paguajë këtë kompensim.
Në një koment poshtë tij në Facebook, Ahmeti e ka ftuar librashitësin në Komunë, që të bisedojë lidhur me çështjen e qerasë dhe “kërcënimit”, për marrje të shtëpizës së librit.
“Florim, të lutem eja në komunë nesër dhe me informo më shumë për atë se kush të ka kërcënuar se të merret shtëpiza. Mos i liro çmimet e librave më pak se sa që vlejnë” ka qenë përgjigjja e Shpend Ahmetit ndaj problemit të Florimit.
Florimi është një prej atyre personazheve të cilat njihen në kryeqytet për dashurinë ndaj librit dhe mirësjelljen e tij ndaj çdo qytetari që është i interesuar të blejë apo vetëm të shikojë libra.