Në një depo në Londër është gjetur një thesar i vërtetë – afro 200 vetura të rralla klasike e shumë adhurues të veturave po e cilësojnë si shpella e Aladinit.
London Barn Finds ka nxjerr në ankand 175 vetura klasike, që prej vitesh janë mbuluar nga pluhuri dhe janë në pronësi të një biznesmeni, transmeton Telegrafi.
Sipas shtëpisë së ankandeve “befasia e çuditshme dhe njëherit e këndshme në veri të Londrës”, përmban vetura origjinale që datojnë nga të 50-at dhe janë të markave më të çmuara evropiane.
Ky koleksion privat është prezantuar në videon tetëminutëshe të YouTuberit, Fredy Atkins. Aty prezantohen disa prej veturave ikonë siç është Porsche 911 kabriolet prodhim i vitit 1974, Land Rover Defender nga të 90-at dhe Volkswagen Camper.
London Barn Finds gjithashtu ka publikuar detajet, vitin, ngjyrën, modelin e numrin e regjistrimit, kilometrat e kaluara dhe historinë e servisimit të çdo veture.
Sipas kësaj liste, vetura më me vlerë është vetura sportive MGA. Për herë të parë ishte prezantuar në vitin 1955, që konsiderohet si vetura më e bukur e prodhuar ndonjëherë nga MG. Ky model ka vetëm 25.000 milje të kaluara dhe kap vlerën e 34.500 dollarëve.
Pas tij pason Mercedes-Benz 350 SL ngjyrë të kaltër që u prodhua në vitin 1975. Ka vetëm 100.000 milje të kaluara dhe vlerësohet se tani kap vlerën e 24.800 dollarëve.
Vetura e tretë më e shtrenjtë e këtij lloji është një BMW Serie 6 ngjyrë të zezë prodhim i vitit 1989 – ka vetëm 107.000 milje të kaluar. Kushton rreth 22.000 dollarë. /Telegrafi/