Këngëtari i njohur i muzikës ‘rock’, Shpat Deda, së fundmi i është bashkuar një nisme shumë interesante.
Ai përmes rrjeteve sociale, ka treguar po shpreh përkrahjen e tij për një letër të hapur që do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës dhe komisioneve parlamentare.
Letra e cila ka gjetur mbështetjen nga 60 organizata civile dhe ka mbledhur nënshkrime të shumta, kërkon që të bëhet rregullimi i martesave për personat e seksit të njëjtë në Projekt Kodin Civil.
Shpati i cili vazhdon të shijojë suksesin e albumit “Rrugës”, ka shpërndarë në InstaStory postimin e faqes ‘Dylberizëm’, e cila edhe ka bërë njoftimin për këtë çështje në Instagram.
“Pro martesave mes seksit të njëjtë në Kosovë, bashkohu me letrën përkrahëse”, shkruhet në postim.
Përndryshe, ky është njoftimi i plotë që faqja ‘Dylberizëm’ ka dhënë për iniciativën në fjalë:
“Dje, më 20 janar 2022, mbi 60 organizata të shoqërisë civile, individë dhe aktiviste/ë i janë bashkangjitur procesit afatgjatë të avokimit për rregullimin e martesës për personat e seksit të njëjtë në Draft Kodin Civil.
▪️ Organizatat, individët dhe aktivistet/ët pjesëmarrës, në shenjë mbështetjeje të këtij procesi, dje nënshkruan letrën e cila ende po qarkullon për përkrahje dhe nënshkrime. E njëjta, në ditët e ardhshme do t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës, Deputetëve dhe Komisioneve Parlamentare, për rregullimin e martesës për personat e seksit të njëjtë në Projekt Kodin Civil.
▪️ Aktualisht, Draft Kodi Civil nuk i ka përfshirë kërkesat për përdorimin e gjuhës neutrale në rregullimin e martesës, duke vazhduar trajtimin përjashtues ndaj komunitetit LGBTIQ+.
▪️ Ftojmë të gjitha organizatat, individët dhe aktivistet/ët që punojnë dhe veprojnë për jetësimin e të drejtave të njeriut, pa përjashtime, që besojnë në parimet e barazisë, mosdiskriminimit, të drejtën për privatësi, të drejtën për krijimin e familjes, që t’i bashkohen organizatave dhe akzivisteve/ëve në përkrahje të letrës.
▪️ Për t’iu bashkangjitur listës përkrahëse mund ta konfirmoni mbështjetjen me shkrim në emailat: info@csgd-ks.org dhe info@cel-ks.org”. /Telegrafi/