Site icon Telegrafi

Shpallet thirrja për kompenzim të sistemit të dritareve PVC ose të aluminit dhe për sistem kolektor termal diellor

Ka filluar aplikimi për amvisëritë për kompenzimin e një pjese të harxhimeve për blerjen dhe montimin e dritareve PVC ose të aluminit, si edhe për blerjen dhe montimin e sistemit kolektor termal diellor.

Thirrja për këto subvencione është shpallur më 30 mars, dhe do të zgjatë deri në fund të muajit gusht të këtij viti.

Dhënia e subvencioneve do të bëhet sipas parimit, “i pari vjen, i pari shërbehesh”, deri në shfrytëzimin e mjeteve të parapara për këtë masë ndihmëse të Ministrisë së Ekonomisë.

Për kompenzim të 50% të mjeteve, por jo më shumë se 500 euro, është siguruar 30 milionë denarë (afër 500 mijë euro) buxhet.

Për kompenzim për dritaret PVC ose të aluminit mund të paraqiten ata që e kanë kryer blerjen dhe montimin nga dita e publikimit të kësaj thirrje, dhe aplikuesi duhet të mos e ketë shfrytëzuar më parë këtë lehtësim.

Për kompenzim të sistemit kolektor termal diellor janë siguruar gjashtë milionë denarë (afër 100 mijë euro). Në këtë rast mbulohen 30% të harxhimeve, por jo më shumë se 300 euro./Telegrafi/

Exit mobile version