Telegrafi

Shpallet sërish i pafajshëm i akuzuari për vrasjen e vitit 2017 në Ratkoc të Rahovecit

Gjykata Themelore në Gjakovë, të enjten, pas rigjykimit sërish e ka shpallur të pafajshëm të akuzuarin për vrasje, Feriz Hoti.

Feriz Hoti po akuzohet se më 17 maj 2017, rreth orës 02:00, në fshatin Ratkoc të Rahovecit, me dashje e ka privuar nga jeta tani të ndjerin Hamdi Isufi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Gëzim Pozhegu, i akuzuari është liruar nga akuzat në mungesë të provave.

Tutje, sipas gjykatësit Pozhegu, arsyetimin e aktgjykimit palët do ta marrin në formë të shkruar.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjakovë, edhe në shtator të vitit 2018, të akuzuarin Hoti e kishte liruar nga akuza për vrasje dhe armëmbajtje pa leje në mungesë të provave.

E kundër këtij vendimi ankesë në Gjykatën e Apelit kishte ushtruar Prokuroria Themelore në Gjakovë. Më pas, Gjykata e Apelit me 7 maj 2019, e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, duke e kthyer kështu në rigjykim dhe vendosje rastin në fjalë.

Sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë duhet anuluar dhe në rigjykim duhet që për vërtetim sa më të plotë të gjendjes faktike të bëhet edhe ballafaqimi i dëshmitarit Bajram Morina me të akuzuarin Feriz Hoti, dhe i njëjti të deklarohet se a është i akuzuari personi i cili ka gjuajtur me armë, ngase dëshmitari ka deklaruar se vendi ku ka ndodhur ngjarja ka qenë me ndriçim dhe se ka mundur ta sheh se a është ky person që ka gjuajtur me armë apo jo.

Sipas aktakuzës, Feriz Hoti, akuzohet se më 17 maj 2017, rreth orës 02:00, në fshatin Ratkoc të Rahovecit, me dashje e ka privuar nga jeta tani të ndjerin Hamdi Isufi.

Ai akuzohet se në natën kritike, i ndjeri së bashku me Muhamet Kiqmarin, Liridon Sylejmanin dhe Evan Potera, me qëllim të vjedhjes tentojnë ta thyejnë marketin “Rama F”, pronë e të akuzuarit Feriz Hoti dhe pas zhurmës së shkaktuar të njëjtit hetohen nga pronari, i cili del në oborr dhe me një pushkë shtien në drejtim të tyre, ku është qëlluar tani i ndjeri Hamdi Isufi, i cili nga plagët e marra ka vdekur në vendin e ngjarjes, raporti BetimipërDrejtësi.

Me këtë rast, Feriz Hoti, akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasja” nga neni 178 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).Hoti, gjithashtu akuzohet se deri në ditën kritike, pa autorizim ka poseduar armë të llojit “AK-47”, me çka ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1 i KPRK.