Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë njofton se do të zbatohet një regjim i përkohshëm për lëvizjen e automjeteve të rënda mbi 15 tonësh, gjatë ditëve të fundjavës dhe gjatë ditëve të temperaturave të larta, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Kufizimi do të fillojë më 1 korrik dhe do të zgjatë deri më 31 gusht. Të premteve kufizimi i lëvizjes do të jetë nga ora 17:00 e deri në ora 22:00, të shtunave do të jetë nga ora 09:00 e deri në ora 18:00, kurse të dielave do të jetë nga ora 09:00 e deri në ora 22:00.
Në ditët me temperatura të larta, kufizimi i lëvizjes së automjeteve të rënda do të jetë nga ora 11:00 e deri në ora 17:00.
Regjim i përkohshëm do të shpallet veçanërisht edhe për magjistralen A2 Shkup-Ohër-Shkup,që ndalon lëvizjen e automjeteve të rënda me peshë mbi 7.5 ton, gjatë fundjavave.
Kufizimi do të ndodhë të premten nga ora 15:00 e deri në ora 22:00, pastaj të shtunën nga ora 07:00 e deri në ora 12:00 dhe nga ora 18:00 e deri në ora 24:00, si edhe të dielave nga ora 07:00 e deri në ora 22:00./Telegrafi/