Telegrafi

Shpallet konkursi për regjistrimin e nxënësve në klasën e dhjetë në shkollat e Prishtinës

Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë, ka shpall konkurs për regjistrimin e nxënësve në klasën e dhjetë të gjimnazeve dhe të shkollave profesionale për vitin shkollor 2022/2023.

“Për regjistrimin e nxënësve në klasën e 10-të, në gjimnaze dhe IAAP në vitin shkollor 2022/2023, mund të konkurrojnë kandidatët të cilët e kanë mbaruar arsimin e obligueshëm dhe nuk janë më të vjetër se 17 vjeç”, thuhet në njoftim.

Nxënësit të cilët e kanë mbaruar klasën e 9-të jashtë Kosovës, obligohen ta bëjnë njohjen e dëftesave në MASHTI pastaj të konkurrojnë për regjistrim.

Dokumentet e nevojshme për konkurrim janë këto: fletëparaqitjen (e cila merret në shkollën në të cilën konkurron), dëftesën origjinale për kryerjen e shkollës së mesme të ulët (6-9) dhe certifikatën e lindjes.

Paraqitja e dokumente në gjimnaze dhe IAAP për vitin shkollor 2022-2023 bëhet me datën 27, 28 dhe 29 qershor 2022 në lokalet e shkollës amë, ku nxënësit dëshirojnë të regjistrohen duke filluar nga ora 08:00 deri në orën 16:00.

Rezultatet për pranimin e nxënësve në shkollat përkatëse shpallen më datën 30 qershor 2022. /Telegrafi/