Site icon Telegrafi

Shpallet aktgjykimi kundër të akuzuarit F.I.

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit F.I. për shkak të veprave penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 dhe Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare nga neni 409 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“I akuzuari F.I. për veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muajsh, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në afat prej 1 (një) viti nuk kryen vepër tjetër penale. Për veprën penale Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, Gjykata ka marrë aktgjykim refuzues ngase Prokurori i Shtetit është tërhequr nga aktakuza.

I pandehuri F.I. në vitin 2015 në cilësinë e deputetit të Republikës së Kosovës, kishte fshehur në këpucët e tij dy bombola të gazit lotsjellës derisa hynte në Kuvendin e Kosovës me qëllim që t’i fuste në sallën plenare, të cilat i ishin gjetur gjatë kontrollit nga policia në hyrje të ndërtesës”, thuhet në njoftimin për media.

Kundër këtij aktgjykimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës./Telegrafi/

Exit mobile version