Nuk është hera e parë që akademitë e shkencave serbe dhe maqedonase, që në kuzhinat e kishave ortodokse i ziejnë, e më pastaj i lansojnë, gënjeshtrat kundër popullit shqiptar. Shqiptarët këtë e dinë mirë, por jo vetëm shqiptarët, sepse në deceniet e fundit të shekullit që shkoi për këto “marifete” të këtyre kuzhinave (serbosllave e maqedonase) u sensibilizuan edhe të huajt. Tani të gjithë e kanë të qartë se kush janë serbët, maqedonasit etj.? Nga erdhën dhe kur erdhën ata në Ballkan? Kë gjeten aty kur erdhën me strajca ne krahë?
Politikat hegjemoniste e raciste se Serbise dhe të Maqedonisë në vazhdimësi kanë mbetur të njëjta. Të ushqyera me pansllavizëm, këto dy shtete të udhëhequra si gjithmonë nga kisha ortodokse serbe e maqedonase, nuk dallojnë aspak përsa i takon mënyrës se si i shohin shqiptarët. Fatkeqësisht as akademitë e tyre të shkencave, e të mos flasim për institucione të tjera të niveleve më të ulëta, historikisht nuk kanë mundur të shkëputen nga ndikimi nacionalist dhe shovinist kundër “armikut” të përbashkët, shqiptarëve. E pse shqiptarët ishin “armiq” të tyre dihet. Ishin sepse ata ishin popull tjetër, me gjuhe e kulturë tjetër.
Ishin dhe mbeten gjithmonë autokton në vatrat e veta, por që siç dihet nga historia disa shekullore, shovinistët serbë, maqedonas por edhe grekë i dëshironin tokat shqiptare por jo edhe shqiptarë t të jetonin aty(!). Dihet pastaj se si Serbia, po ashtu edhe Greqia (dekada e dekada më herët) kishin filluar të përgatisnin plane të ndryshme për t’i shpërngulur ose edhe për t’i shfarosur fare shqiptarët. Mjafton të përmenden elaboratet e famëkëqijve, si të Çubrilloviqit, Grashaninit, Ivo Andriqit e të ndonjë tjetri për dëbimin e popullit shqiptar nga trojet e veta. Kjo u pa qartë se si Serbia deshi ta përzë një popull të tërë nga Kosova në prag të shekullit 21!
Politika hegjemoniste serbe po zbatohej edhe në Maqedoni. Bile maqedonasit të përkëdhelur nga Serbia kishin “marrë” kompetenca të veprojnë njësoj , bile edhe më keq kundër shqiptarëve. Më kujtohet shumë mirë se si në vitet ’60-ta dhe ’70-a (pa i përmendur këtu vitet e pas LDB) shqiptarët e Maqedonisë ishin populli më i diskriminuar, jo vetëm në ish-Jugosllavi, por do të thosha në tërë Evropën. Pabarazi totale ishte pothuaj në çdo segment të jetës, edhe pse shqiptarët atje zënin vendin e dytë nga numri i përgjithshëm i banorëve në Maqedoni, fatkeqësisht deri vonë konsiderohej hiç më shumë se “pakicë kombëtare”. Ata nuk gëzonin pothuaj asnjë të drejtë. Përveç të drejtës elementare për shkollimin fillor, një shkollim të lartë në Shkup sa për sy e faqe , si thonë, shumë vonë dhe me shumë peripeci edhe në Tetovë. Ishte një dritare e vogël ne Televizionin e Shkupit e ndonjë gazete si “Flaka e vëllazërimit”, etj.
Më kujtohet kur para disa dekadave shkoja në Shkup te axha im dhe po ta vështroje se si jetonte popullata shqiptare aty, të kapte tmerri. Gjithçka frymonte maqedonisht! Nuk ke pasur asnjë mundësi të shihje të shkruar diçka shqip. Madje edhe emri i shkollës fillore “Liria” ishte i shkruar vetëm në cirilikë (në alfabetin cirilik). Diskriminim me brirë! Deri vonë madje edhe emrat mbi varreza të shqiptarëve (ndoshta edhe sot) shkruheshin vetëm në maqedonisht! Të vetmen gjë që regjimi hegjemonist maqedonas u kishte lejuar shqiptarëve pa ngurrim ishte liria fetare. Pra pushtetit maqedonas i konvenonte kjo nga se kur asaj i nevojitej prej këtij etnosi do të krijonte “turq” “boshnjakë”, “torbesh” e çka jo tjetër, vetëm e vetëm që ta zvogëlonte sa më shumë numrin e shqiptareve në Maqedoni.
Pas përfundimit të luftës së shqiptarëve kundër pushtetit maqedonas u arrit edhe ajo “marrëveshja “ e famshme e Ohrit, ku shqiptarët do të trajtoheshin si subjekt shtetformues, me zyrtarizimin e gjuhës shqipe, kulturës dhe vlerave shqiptare. Përdorimi i flamurit në institucione të ndryshme në Maqedoni, ku jetojne shqiptarët. Por edhe pse kaluan më shumë se 10 vjet kjo “marrëveshje” e penguar nga shovinistet maqedonas ende nuk është zbatuar plotësisht.
Nejse.
Nuk do të zgjerohemi më shumë për t’i vu në pah gjithë këto probleme, por le të përqendrohemi kësaj here në “margaritarin” e fundit, publikuar nga “kulmi i shkencës” maqedonase. Të ndalemi në enciklopedinë e Akademisë së Shkencave të Maqedonisë (botuar tash vonë), ku shkruan, mes tjerash , se “shqiptarët paskan ardhur nga malet në shekullin e 16-të dhe i paskan përzënë maqedonasit dhe qenkan vendosur në fshatrat e tyre”!
E çfarë “akademikësh” a “shkencëtarësh” qenkan ata, të cilët pa farë turpi dalin para botës me rrena të tilla? Në vend se ata “shkencëtarë” me punën e tyre të drejtë të afrojnë popujt, ata po bëjnë të kundërten, po i përçajnë ata. “Akademikët” e këtij populli pa identitet, me shpifje, e gënjeshtra po ngrisin tensione të tjera ndërnacionale. Paradoks i madh është se kjo enciklopedi është financuar nga Ministria e Kulturës, financimi i së cilës është bërë edhe nga taksat e vetë shqiptarëve të Maqedonisë!. E çka mund të thuhet për këtë? Mund të thuhet se shovinisti mbetet shovinist pa marrë parasysh kohën!
Ujku qimen e ndërron po hujin jo, thotë një fjalë popullore. Kështu është pra edhe me fqinjët tanë maqedonasit. Sepse ata duke bërë këso falsifikimesh kundër shqiptarëve duan ta fshehin origjinën e tyre, identitetin e tyre. Ata deklarohen se janë maqedonas, por në të njejtën kohë e pranojnë se janë sllavë. Këto dy gjëra bien ndesh njëra me tjetrën. Nëse ata thonë se jemi maqedonas, kjo lidhet me maqedonasit e vjetër, maqedonasit e Aleksandrit të Maqedonisë, që i përkisnin fisit të madh ilir. Dhe po të kihet kjo para sysh, asgjë nuk ka të bëjë me maqedonasit e sotëm.
Maqedonasit e sotëm e dinë fort mirë se këtu ku jetojnë sot kanë trashëguar vetëm emrin Maqedoni (nga maqedonasit ilir), se ata në fakt janë bullgar, pra janë sllavë. E dihet shumë mirë nga historia se kur erdhën sllavët ne Ballkan? Dihet se ata erdhën nga shekulli i 5-të deri në shekullin e 7-të. Po ata as nuk e thanë, as nuk po e thonë sot, se kur erdhën këtu gjetën shqiptarët. Historiografia shqiptare nuk ka bërë e as nuk është duke bërë sa duhet për t’i demantuar me fakte përpjekjet e këtyre “akademikëve” sllavë se ata gjithë kanë gënjyer, gjithnjë e kanë falsifikuar historinë kurdo që iu ka dhënë rasti. Këtë zanat po e vazhdojnë edhe sot , duke dashur që ta shtrembërojnë historinë, në disfavor të shqiptarëve.
Paradoks tjetër është, se kjo po ndodh sot, pra në shekullin 21. Po ndodh sot kur e vërteta për Ballkanin dhe shqiptarët është shumë transparente. Sot kur bota është më e informuar se kurrë për realitetin e shqiptarëve në Ballkan. Sot kur menjëherë kanë reaguar madje edhe ambasadorët e Anglisë dhe të Amerikës (SHBA), duke demantuar këtë gënjeshtër të kulluar. Sot kur e kanë marrë vesh edhe vendet më të largëta të botës (me luftën çlirimtare të Kosovës) se si një hegjemonizëm serbo-grek dhe maqedonas arriji t’i shkëpuste territore Shqipërisë nga të gjitha anët e saj (sigurisht me ndihmën e fuqive të mëdha në fillimin e shekullit 20). Kjo ndodhi më 1912, kur Konferenca e Londrës ia dha “peshqesh” Serbisë Kosovën dhe Iliridën, Greqisë Çamërinë, Ulqinin, Plavën dhe Gucinë Malit te Zi.
Dhe me krijimin e të ashtuquajturës Jugosllavi, kjo e fundit e “krijoi” siç dihet për llogari të veta Republiken e Maqedonisë , e cila me shpërbërjen e saj kjo republike u bë “ shtet”! Dhe detyra e këtij “shteti” ishte (në qoftë se do të dëshironte të ekzistonte) t’i shtypte sa më shumë shqiptarët, për t’ia “lehtësuar” punën Serbisë, së cilës i duhej ta kontrollonte Kosovën bashkë me Kosovën Lindore.
.
Paradoksi tjetër është se në kuadrin e kësaj “Akademie të Shkencave” janë edhe tre shqiptarë. Unë besoj se këta shqiptarë, profesorë të nderuar, as nuk i ka pyetur kush as nuk i ka kunsultuar kush! Këta i kanë shërbyer dhe i shërbejnë edhe sot Akademisë Maqedonase që të bëjnë numër, të figurojnë aty edhe tre akademike shqiptarë! Po ata duhet të reagojnë të parët për këtë skandal. Dhe nëse ata nuk reagojnë, ose nuk japin dorëheqje nga kjo akademi shoviniste, atëherë edhe këta do të mbeten në krahun e kësaj teze se “shqiptarët kanë ardhur nga malet dhe me forcë i kanë përzënë maqedonasit nga fshatrat e tyre”.
Nga ky provokim i paskrupullt del se institucionalisht kjo akademi është tipike mesjetare e përbërë nga shovionistë ortodoks. Ky institucion i lartë “shkencor” po hap programe nacionaliste të shekujve të kaluar dhe me këtë po krijon hendeqe në mes popullit maqedonas në njërën anë dhe të atij shqiptar në anën tjetër.
Një pjesë të fajit për mosreagim më të ashpër kanë edhe partitë politike shqiptare atje, sidomos partia e cila është në pushtet. Partitë politike dhe intelektualët shqiptarë në Maqedoni nuk kanë bërë aq sa është dashur të bëjnë as në të kaluarën, por fatkeqësisht as sot nuk janë në një linjë kur është në pyetje çështja kombëtare. A mjafton vetëm që disa zëdhënësa të partive politike shqiptare të prononcohen për media për rastin në fjalë?
Shqiptarët në Maqedoni (jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Kosove dhe Shqipëri) duhet të organizohen në nivele institucionale, partiake por edhe në mënyra të tjera për të demantuar këto gënjeshtra, duke mos e përjashtuar edhe organizimin e një demonstrate gjithëpopullore për t’i mbrojtur vlerat kombëtare e historike shqiptare. Urgjentisht duhet të hiqet nga qarkullimi ajo encikloperdi e turpshme edhe për vetë Maqedoninë. Nëse një kësi reagimi nuk do të ndodh me kohë, pra sot dhe menjëherë, dhe atë nga i gjithë subjekti shqiptar, jo vetëm në Maqedoni, por edhe nga shqiptarët nga Shqipëria, Kosova dhe nga diaspora, atëherë nuk është çudi se shovinistët sllavomaqedonas në të ardhmen do të dalin me teza edhe ma raciste se kjo e ditëve të fundit.