Telegrafi

Shotani optimist se Drenica do të rikthehet tek rezultatet pozitive

Drenica e ka pësuar edhe humbjen e dytë, në po aq ndeshje të luajtura në këtë fillim sezon të Albi Superligës së Kosovës, pasi është mposhtur 1-0 nga Ballkani.

Trajneri Bekim Shotani ka thënë se patën paraqitje të mirë, ndërsa është optimist se do të rikthehen te rezultatet pozitive.

“Ashtu si u morëm vesh, në pjesën e parë luajtëm lojë zonale dhe kërkuam kundërsulmet. U munduam të mbulojmë pikat kryesore të kundërshtarit. Ia arritëm deri kur bëmë gabimin dhe pësuam gol”, ka deklaruar ai pas ndeshjes për ArtSport.

Lexo po ashtu Ballkani e fillon mbrojtjen e titullit me fitore - mposht Drenicën minimalisht

“Në pjesën e dytë u munduam të ndryshojmë lojën. Pas zëvendësimeve e balancuam lojën dhe ishim më të rrezikshëm. Por nuk arritëm të shënojmë”, ka theksuar Shotani.

“Për Drenicën është humbja e dytë rresht. Djemtë e kanë dhënë më të mirën, por na ka munguar edhe fati për të dalë me rezultat pozitiv”.

“Drenica në dy ndeshjet ka luajtur mirë dhe ka shfaqur potencial. Nuk është brengosëse pasi loja jep shpresë se shpejtë do të kthehemi te rezultatet pozitive”, ka theksuar Shotani. /Telegrafi/