Site icon Telegrafi

Shoshi i thotë Gëvallës “nuk merr erë në diplomaci”, ajo ia kthen “nuk po keni për çka me u kap”

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla deklaroi se janë bërë hapa të rëndësishëm për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Ajo në seancën e sotme të Kuvendit, ku po diskutohet për dyvjeçarin e punës së Qeverisë së Kosovës, tha se tashmë Kosova ka një vend të respektuar në arenën ndërkombëtare.

“Në maj të vitit të kaluar, më pak se një vit më parë kemi dorëzuar kërkesën tonë për anëtarësim në Këshill të Evropës. Gjatë këtij viti janë bërë hapa të rëndësishëm drejt këtij anëtarësimi”, tha ajo.

Por, kryediplomates kosovare i reagoi deputetja opozitare e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e cila tha se Gërvalla është e paditur dhe nuk ka njohuri në diplomaci.

Madje, sipas saj, ministren Gërvalla tashmë po e shpërfill edhe kryeministri Albin Kurti.

“Në krye të diplomacisë jeni jashtëzakonisht e paditur dhe nuk merr erë në këtë punë. Përpos përçarjes brenda ministrisë nuk ke bërë asgjë, bash asgjë. Kosova që nga ardhja juaj në pushtet, shërbim të jashtëm nuk ka, lobim edhe më hiç, njohje të reja as në shprehje nuk vijnë. Ndërsa, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare është vetëm në formë dëshirore”, tha ajo.

Në anën tjetër, ministrja Gërvalla këto pretendime të deputetes Musliu i konsideroi si shpifje.

Gërvalla: Nuk po keni për çka me u kap, prandaj shpikni situata

Video

“Nuk po keni për çka me u kap, prandaj shpikni situata të tilla që janë tërësisht qesharake”, u shpreh ajo.

Exit mobile version