M‘ka marrë malli për Svetllanën dhe Rosa Marijan. Këto janë dy shoqet e mia më interesante apo më të çuditshme që i kam patur deri sot. Gjatë vitit 2002 kemi qenë bashkë në një ‘fellowship‘ (studim) gjashtëmujor në Dayton, në një institut shumë të njohur amerikan dhe botëror. Që në fillim krijuam atë që në anglisht i thonë ‘love-hate relationship‘ (dashuri dhe urrejtje).
Svetllana ka qenë ruse nga Moska. Pos që ka qenë e zgjuar, ka qenë edhe e bukur. Hijeshinë ia shtone fytyra e saj e qeshur prore. Kurrë në jetë nuk kam parë, as më herët e as më vonë, dikë si ajo, që rrinte gjithmonë me buzëqeshje. E ndërronte disponimin dhe mrrolej vetëm kur i dëgjonte fjalët e mia të pakëndshme për të. Kur dëshiroja t‘ia ktheja disponimin, i tregoja diçka humoristike. Ajo qeshte dhe dy vrima i formoheshin në faqet e saja si mollë. Svetllana ka qenë ëmbëlsirë e llojit të rrallë.
Tema që e studionte Svetllana kishte të bëjë me artin gjerman dhe polak që armata ruse e kishte marrë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këtë art përfshihen shumë piktura, skulptura dhe gjësende tjera me vlera të mëdha. Rusët edhe sot refuzojnë t‘i kthejnë këto vepra të cilat i mbajnë si plaçkë të luftës. Svetllana vinte nga një familje ushtarake, si nga ana e babës ashtu edhe nga ajo e burrit të saj. Nga të dy anët te familja e saj kanë qenë ushtarakë të lartë në Ushtrinë ruse që nga koha cariste e deri sot, pandërprerë. Lidhjet e saja me qarqet kulturore ruse gjatë viteve të 1990 kanë qenë aq të fuqishme saqë disa herë e kishte mbledhur trupën e famshme te baletit Bolshoi për të përformuar privatisht për një publik (amerikan) që nuk përbënte më shumë se 10 veta.
Rosa Maria ka qenë nga Havana, kryeqyteti i Kubës. Ka qenë esmere dhe me trup e pamje të një latino-amerikaneje tipike. Ajo studionte diçka që kishte të bëjë me ndikimin e çështjeve sociale në politikën kubane. Familja e saj kishte një histori të gjatë të tregtarëve të njohur në Kubë. Por, profesioni i tyre kishte përfunduar me ardhjen e Kastros në pushtet i cili ua kishte konfiskuar pasuritë e shumta.
Ju e dini profesionin dhe origjinën time fshatare-qytetare-proletare dhe nuk kam nevojë t‘ua prezantoj. Sidoqoftë, ne ishim treshi më i pazakonshëm që mund të bëhej bashkë. Nga tri anët e botës që prodhojnë shumë dallime. Megjithatë, kishim edhe karakteristika të përbashkëta. E para ishte se ishim njerëz kurse e dyta që na ndihmonte shumë, ishte fakti se kishim arsimim të ngjashëm. Sistemi arsimor jugosllav dhe ai kuban kanë qenë të modeluar sipas atij sovjetik. Dallimet tona ishin ideologjike që ishin prodhuar nga problemet gjeopolitike, sidomos pas asaj që kishte ndodhur nga viti 1991 në BRSS, RSFJ dhe Kubë. Nga kjo, unë dhe Svetllana ishim armiq të përjetshëm të njëri-tjetrit. Armiqësia kishte eskaluar për shkak të Kosovës. Svetllana, si çdo ruse nacionaliste, sidomos për shkak që ishte nga familja ushtarake, serbët i konsideronte si degë të rusëve apo kushërinj të afërt. Vija e frontit të saj ishte e gjatë, kurse arma ishte pansllavizmi. Intervenimi i botës, sidomos i vendit (SHBA) ku qëndronim ne, i kishte poshtëruar rusët dhe serbët deri në fund. Pra, kjo ishte tema që shkaktonte konflikt të përhershëm në mes meje dhe Svetllanës. Unë këtu e kisha lehtë se e kisha Amerikën pas.
Në këtë konflikt Rosa Maria qëndronte neutrale, por në çaste kritike e merrte anën e Svetllanës. Si kubane që ishte, nuk e kishte harruar ndihmën e sovjetikëve. Në këto raste që të dyja bëheshin bashkë për të më sulmuar ose për t‘u mbrojtur nga sulmet e mia. Më duhet t‘ua them të drejtën se asnjëherë nuk e kam patur lehtë. Të kesh dy gra inteligjente kundër, është vështirësi e madhe.
Kundërshtimet dhe zënkat tona krijonin shqetësime për udhëheqjen e institutit. Kur shkonim në vizita, dreka apo darka, ata na i caktonin vendet larg njëri-tjetrit se ne edhe në këto raste gjenim mënyrë që të përlaheshim. Por, disi përmbaheshim dhe zënkat përfundonin me një ngritje të moderuar të zërit. Pastaj qetësoheshim dhe tjerët ofshanin nga gëzimi.
Kjo ka qenë pothuajse situatë e përhershme. Tema që përfshinte luftën, politikën, Rusinë, Serbinë, Kosovën, Amerikën, ishte e gjerë dhe nuk sosej kurrë. Prandaj, çdo ditë ziheshim.
Por, kishim edhe momente të mira. Ne, pos që punonim në një vend, banonim në një kompleks të njëjtë të banesave. Unë kisha autorizim të ngisja një veturë të institutit dhe, në një mënyrë, isha edhe shoferi i tyre. Kur kishim darka apo vizita studiuese jashtë Daytonit, unë shkoja i merrja në shtëpi. Burrit të Rosa Marias dhe nënës së Svetllanës ua jepja besën e shqiptarit se do të kujdesesha për to dhe do t‘i ktheja me kohë. Nëna e Svetllanës, një grua po ashtu e këndshme, më besonte kurse burri i Rosa Marias kishte dyshime. Por, atij nuk i mbetej tjetër pos ta përpinte xhelozinë. Në këtë rast, si në të gjitha rastet tjera, Svetllana dhe Rosa Maria më futnin në mes, më kapnin për krahu, dhe unë, si një gjel i krekosur, vazhdoja rrugën me to.
Ajo që duhet të thuhet për këto dy zonja është se sipas pikëpamjes së një shqiptari, që të dyja ishin antiamerikane. Ato i donin vendet e tyre edhe pse gjendeshin në vështirësi tranzitore. Sikur mua, edhe këtyre dyjave Amerika ua paguante hulumtimin shkencor së bashku me harxhimet dhe rrogat. Si shtesë, ishte edhe specializimi jonë. Megjithatë, kjo nuk do të thoshte se ky qëndrim i tyre mua nuk më pëlqente. Ato kishin dinjitet, qëndrim politik dhe nuk ndryshonin për këtë hesap. Ishin gra që nuk shiteshin për këtë çmim.
Qëndrimin e Svetllanës e kuptoja, por jo atë të Rosa Marias e cila ishte adhuruese e Fidel Kastros. Kuba për të ishte Fidel Kastro dhe anasjelltas. Mua më pengonte mos dallimi i këtyre dy të veçantave dhe kjo ishte pika ku unë e sulmoja Rosa Marian. Ajo nuk hiqte dorë. Që të dyja e fajësonin Amerikën për gjendjen e rëndë në vendet e tyre dhe kjo për mua ishte e papranueshme. Qëndrimi i Svetllanës për shqiptarët nuk mund të definohej ndryshe pos si shovinist. Rosa Maria nuk kishte njohuri të veçantë për Kosovën e as paragjykime. Kritika ime ndaj tyre ishte e pamasë saqë një ditë i bëra që të qanin me lot. Mbidoza ime intelektuale e patriotike krijoi efekt të padëshiruar. U ndjeva keq për këtë gjë dhe u kërkova falje për vrazhdësinë time të një mashkulli ballkanik e shqiptar. Megjithatë, unë nuk i ndala kritikat por vetëm ua ula intenzitetin.
Edhe pse përfshiheshim në debate që përfundonin në mënyrë të pakëndshme shpejt i prishnim dhe i ndreqnim marrëdhëniet. Ekzistonte një fuqi e padukshme magnetike që na tërhiqte te njëri-tjetri. Pas disa muajve ne mësuam shumë nga njëri tjetri dhe na u harxhuan edhe kauzat për grindje. U afruam dhe u njohëm më mirë, por kjo nuk do të thoshte se ne tashti pajtoheshim. Por, vetëm u mësuam se mund ta donim njëri tjetrin, si njerëz, përkundër dallimeve që kishim.
Deri në atë kohë unë kam njohur dy lloje të grave: te mira dhe jo të mira. Kjo ka qenë arsyeja që unë me gra i kisha punët mirë ose keq. Nuk kishte mes në këtë punë. Por, Svetllana dhe Rosa Maria i posedonin që të dy karakteristikat. Shto faktin që ishin edhe inteligjente, ishte arsyeja që krijonte atraksion për mua. Unë gjithmonë kam pasë dëshirë të madhe me ndejt me gra dhe m‘u përla me to. Por, me këto dyja, përlamja ka pasë lezet dhe përmbante një sharm të veçantë.
Në fund u ndamë duke u përqafuar fort dhe duke ia bërë hallall njëri-tjetrit dhe me premtim se do të vizitoheshim. Nuk u takuam kurrë më. Rosa Maria u ndalë që të jetonte në Amerikë, por humbi nga kontakti. Mbase një ditë do të takohemi dhe do të qeshim për dallimet tona. Ndoshta për shkak se nuk kam me kë të përlahem, m‘ka marrë malli për to.