Sa prej jush keni dëgjuar të rriturit, se sa të pakënaqur janë me adoleshentët tanë? Se si ata përdorin substanca narkotike! Nuk mësojnë! Bëjnë shumë mungesa në orët e mësimit! Frekuentojnë shumë lokalet! Që janë të zemëruar, të pakënaqur me çdo gjë, arrogantë dhe të padisponuar…
Pas gjithë këtyre brengave, ne nuk duhet thjeshtë ta hedhim fajin vetëm te adoleshentët.
Por, të mendojmë më shume, se sa po u ofrojmë adoleshentëve ne si shoqëri? A po dëgjohen mjaftueshëm zërat e tyre? Sa shumë gjëra kanë ata për tu argëtuar? A po i inkurajojmë ata se do ta kenë një të ardhme më të ndritshme? A kujdesemi mjaftueshëm për gjendjen e tyre emocionale?
Përgjigjen besoj e kemi të ngjashme: “Jo, aspak”.
Dekada e fundit ka sjellur ndryshime të mëdha në shoqërinë Kosovare. Lufta e tmerrshme e zhvilluar në Kosovë ka ndikuar në shumë adoleshentë. Shumë prej tyre kanë humbur anëtarët e familjes dhe ka raste që kanë qenë dëshmitarë të vrasjeve të tyre.
Këta adoleshentë janë fëmijë të pasluftës. Këta kanë përjetuar mizorinë e konfliktit, gjëra aspak të këndshme dhe mizore, që asnjë fëmijë nuk duhet t’i përjetojë. Kështu që ne duhet t’ju ndihmojmë të zhvillohen normalisht, ashtu si çdo adoleshent në mbarë botën. Ne duhet t’i "ushqejmë" edhe emocionalisht, pasi që është pjesë e pandashme e zhvillimit të tyre.
Keni bërë mjaftueshëm për adoleshentët e komunitetit tuaj?
Për hir të argumentit, le të supozojmë që jeni angazhuar, apo keni provuar të jepni kontributin tuaj ashtu siç keni “ditur më së miri”. Por, më lejoni t’ju them se si psikologe dhe mësimdhënëse nevojitet të bëhet edhe më shumë. Studimet tregojnë se 20 për qind e adoleshentëve duhet të marrin ndihmë profesionale nga profesionistët e shëndetit mendor.
Por, sa për qind e tyre e marrin këtë shërbim të shëndetit mendor aq të nevojshëm? Mund të themi se aspak.
Vendosja e psikologëve në shkollat fillore e të mesme në Kosovë është një nevojë që duhet të plotësohet menjëherë. Kjo do të ndikonte pozitivisht edhe në ambientin dhe performancën akademike të nxënësve.
Ka fakte që tregojnë lidhjen e fortë në mes të shëndetit mendor dhe suksesit akademik. Një shërbim të tillë ka filluar të ofroj Programi i Shërbimeve Psikologjike në Shkolla, një pilot projekt, si pjesë e Programit Hope Fellowships që implementohet nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.
Uroj qe shume shpejt do të vetëdijesohemi dhe ta vlerësojmë lartë nevojën e menjëhershme të vendosjes së psikologëve në tërë shkollat e Kosovës. Sikurse të gjithë adoleshentëve në SHBA e Evropë, edhe adoleshentëve tanë u nevojiten shërbimet dhe këshillimet psikologjike, nëse dëshirojmë që në të ardhmen të kemi të rritur emocionalisht të shëndetshëm.