Edhe pse për një kohë të gjatë Kosova kishte refuzuar të bëhet pjesë e Mini-Schengenit ballkanik, me Marrëveshjen e Uashingtonit ka ndryshuar kjo qasja, pasi që edhe Kosova zotohet të bëhet pjesë e kësaj nisme. Por, njohësit e çështjeve politike dhe ekonomike, kanë qëndrime të ndryshme nëse vendi duhet të bëhet pjesë e kësaj iniciative rajonale.
Nismës rajonale që ka filluar në vitin e kaluar, e njohur si “Mini-Schengeni Ballkanik”, Kosova nuk i është bashkuar asnjëherë. Albin Kurti, në vizitën e parë të tij në Shqipëri si kryeministër i Kosovës e pati hedhur idenë e krijimit të një “Makro – Schengeni Shqiptar”, raporton RTV Dukagjini.
Qëndrime kundër nismës për mini-shengenin ballkanik kishin proklamuar edhe presidenti Hashim Thaçi dhe vet kryeministri Avdullah Hoti.
Por, takimi i Uashingtonit ka ndryshuar qëndrimet e Kosovës, nuk do të ketë “Makro – Schengeni Shqiptar” e as refuzime për Mini-Schengenin Ballkanik, përcjell Telegrafi.
“Të dyja palët do t’i bashkohen zonës së Mini-Schengenit, të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vitit 2019 dhe do t’i shfrytëzojnë plotësisht përfitimet nga ajo”, thotë njëra nga pikat e marrëveshjes së Uashingtonit.
Për këtë pikë, Kosova ka dhënë zotimin që shumë shpejtë do të fillojë përgatitjet që të bëhet pjesë e “Mini – Schengenit”.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gerxhaliu, thotë se bashkimi i Kosovës në këtë nismë rajonale, hap një perspektivë të re ekonomike për vendin.
“Besoj se në aspektin ekonomik hapet një perspektivë e re pasi Ballkani Perëndimor promovohet si një mundësi e re për brende ndërkombëtare. E dyta në aspektin psikologjik do të përmirësohet percepsioni për Ballkanin Perëndimor si një rajon i trazuar”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Safet Gerxhaliu.
Ndërsa nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, thonë se në këtë nismë do të fitojë më së shumti Serbia, dhe se Kosova nuk duhet të ndryshojë aspiratat për Bashkimin Evropian.
“Mini – Schengeni e favorizon Serbinë si tregu më i madh i rajonit dhe kësisoj i jep asaj rolin e shtetit kyç në lëvizjen e mallrave dhe njerëzve në rajon. Ndryshe Kosova nuk duhet të kënaqet vetëm me integrime regjionale dhe nuk duhet ta lë përshtypjen që zëvendësimi i reformave evropiane të bëhet me anëtarësime regjionale”, deklaroi Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike.
Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, kishin nënshkruar një marrëveshje që për “Mini-Schengenin” në Nëntor të vitit të kaluar. /RTV Dukagjini/Telegrafi/