Site icon Telegrafi

Shoqëria civile proteston në Prishtinë: Drejtësi për Florijetën dhe Linditën

Shoqëria civile ka ftuar qytetarët në një protestë në ora 12:00 para Gjykatës Themelore të Prishtinës për të kundërshtuar vendimin e këtij institucioni ndaj personit i cili i aksidentoi për vdekje Florijeta Rugovajn dhe Lindita Abdullahun.

“Shoqëria civile organizon protestë paqësore për të kundërshtuar vendimin e padrejtë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila i shqiptoi dënim minimal njeriut i cili i mori jetën në komunikacion dy qytetarëve të Kosovës, Florijeta Rugovaj dhe Lindita Abdullahu. Kjo nuk është e tëra, kjo gjykatë ka vendosur që i njëjti edhe të gjykohet në liri”, thuhet në njoftim.

Sipas organizatorëve, situatën e rëndon edhe më shumë fakti se kryerësi i kësaj vepre është recidivist dhe se Policia e Kosovës është në dijeni që ky person vetëm pak ditë para shkaktimit të aksidentit, është ndaluar edhe për shkelje të rregullave të komunikacionit, ndërsa sipas tyre vetura me të cilën është shkaktuar aksidenti ka qenë e paregjistruar.

“Dhimbja e familjeve është shumëfishuar pasi njeriu që u mori jetën familjarëve të tyre shumë shpejt do të endet në liri, pa pasur mundësinë që të reflektojë mbi dëmin që ka shkaktuar, e nga njerëz të tillë do të jenë të rrezikuar të gjithë qytetarët e tjerë”, vijon njoftimi.

Shoqëria civile thotë se me këto dënime të ulëta shoferët e papërgjegjshëm nuk kenë pse frikësohen që të shkaktojnë edhe një viktimë tjetër, të lënë edhe fëmijë të tjerë jetimë, e të shkaktojnë plagë që nuk do të mbyllen kurrë nëpër familjet tona.

“Jetët tona vlejnë më shumë se kaq, andaj kjo protestë do të mbajë emrin e dy të rejave që u privuan nga jeta padrejtësisht, por zëri do të ngritët për çdo viktimë tjetër që sot nuk jeton më nga pakujdesia e njerëzve të papërgjegjshëm”, thuhet në njoftim.

Kërkesat që do të shpalosen në këtë protestë janë rishikimi i vendimit që u mor nga Gjykata Themelore e Prishtinës, ngritja e dënimeve për personat që nuk i respektojnë rregullat e komunikacionit dhe marrja më me seriozitet e rasteve të dëmtimit të qytetarëve në komunikacion./kp/

Exit mobile version