Telegrafi

Shoqëria civile… prezanton “kandidatët e padenjë” për parlamentin e Kosovës

Koalicioni nuk pretendon se këta kandidatë janë fajtorë për veprat për të cilat janë raportuar, por konkludon se mbi ta vazhdojnë të rëndojnë dyshime mbi vepra joligjore ose joetike dhe si të tillë ata konsiderohen si të padenjë për të.

Në anën tjetër, Koalicioni nuk pretendon se në këtë listë ka përfshirë të gjithë njerëzit që kanë bërë shkelje, por lista e kandidatëve që keni përpara përfshinë të gjithë ata kandidatë për të cilët raportuesit e pavarur kanë gjetur fakte për të mbështetur dyshimin.

Këto lista, siç kanë bërë të ditur udhëheqësit e këtij koalicioni, do të jenë pjesë e kundërfushatës së Koalicionit që prej sot e deri në fillimin e heshtjes parazgjedhore në mënyrë që t’iu rikujtohet votuesve për veprimet e atyre që pretendojnë të marrin votat e tyre.

Nga hulumtimet e deritashme është gjetur një korelacion mes kohës së të qenit në pushtet dhe veprimeve joligjore të kandidatëve. “Praktikisht në përgjithësi mund të konkludohet se listat e partive janë më të gjata për partitë që kanë pasur kohë më të gjatë në pushtet dhe anasjelltas. Po ashtu partitë të cilat kanë zgjedhur që të bashkëpunojnë me Koalicionin kanë më pak kandidatë në këtë listë për shkak se kanë pasur mundësinë që t’i kontestojnë të gjeturat e hulumtuesve dhe, rrjedhimisht, kur janë prezantuar kundërfakte të qëndrueshme këta kandidatë janë hequr nga lista finale”, thuhet në komunikatën e këtij koalicioni.

Qëllimi i kësaj iniciative, sipas tyre, nuk është njollosja e asnjë individi apo partie, apo paragjykimi i fajësisë së tyre. Qëllimi i kësaj iniciative është të ndërtohet institucioni i transparencës dhe i llogaridhënies në shoqërinë kosovare, dhe veçanërisht në institucionet qeverisëse dhe partitë politike në raport me qytetarin si burim i çdo pushteti. “Nëse transparenca dhe llogaridhënia janë vlera dominuese në partitë politike dhe institucionet e Kosovës atëherë ne do të arrijmë të ndërtojmë integritet institucional dhe do të ndërtojmë parlament me integritet. Kjo është rruga e vetme për një shtet të së drejtës dhe demokraci kuptimplote”, thuhet më tej në këtë komunikatë.

“Ne si koalicion i organizatave civile dhe si qytetarë të Kosovës mendojmë që kandidatët të cilët kërkojnë votën e qytetarit të Kosovës duke pretenduar një post publik me përgjegjësi për tërë shoqërinë, i detyrohen kosovarit një transparencë dhe llogaridhënie të plotë në mënyrë që ta fitojnë dhe meritojnë besimin e tyre”, përfundon komunikata.