Telegrafi

Shoqëria civile nis peticion për ndalimin e degradimit të ambientit nga hidrocentralet e vogla

Shoqëria Civile ka filluar një peticion për ndalimin degradimit të mëtutjeshëm të ambientit nga Mini Hidrocentralet dhe Hidrocentralet e vogla.

Në një njoftim për media të Shoqërisë Civile thuhet se të martën, më 29 tetor fillon nënshkrimi i peticionit, nëpërmjet të cilit qytetarët e Kosovës i kërkojnë institucioneve më të larta të vendit, që të ndalin degradimin e mëtutjeshëm të ambientit nga hidrocentralet e vogla.

“Shkatërrimi i vazhdueshëm i resurseve tona natyrore nga të gjithë ata që abuzojnë dhe shfrytëzojnë resurset e vendit për përfitime individuale, qofshin vendim-marrës apo investitorë, na shtynë të protestojmë dhe të premtojmë se nuk do të ndalemi. Argumentet e mbledhura dëshmojnë se nëse nuk veprojmë TASH dhe menjëherë, lumenjtë e Kosovës, si dhe popullata që jeton në afërsi të tyre, do të shkatërrohen dhe degradohen në pa kthim”, thuhet në njoftimin e KFOS.

Mbledhja e nënshkrimeve do të zgjasë dy javë dhe do të bëhet në shtatë komunat e mëdha të Kosovës përfshi edhe komunat përreth.

Organizatat partnere në komunat e poshtëshënuara do të kenë pika të vendosjes për mbledhje të nënshkrimeve:

1. Instituti Demokratik i Kosovës – Prishtinë

2. EC Ma Ndryshe – Prizren

3. Iniciativa për Progres INPO – Ferizaj – Gjilan – Shtërpce

4. REC Kosova – Mitrovicë

5. ERA Group – Pejë

6. KADC – Gjakovë

7. Organizata për Mbrojtjen e Mjedisit – GJETHI – Kaçanik – Hani i Elezit

8. Aktiv – Veri të Mitrovicës./Telegrafi/