Nesër në Prishtinë mbahet protestë për depolitizimin e sistemit të drejtësisë si dhe shkarkim të kryeprokurorit, Aleksandër Lumezi.
Për ditën e nesërme është paralajmëruar të mbahet protesta e radhës ku do të kërkohet shkarkimi i kryeprokurorit, Aleksandër Lumezi dhe të bëhet Vetting për gjyqësorin.
Kjo protestë e organizuar nga shoqëria civile do të jetë e dyta pas asaj që ishte mbajtur më 22 gusht.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se në tri vitet e fundit vazhdimisht kanë kërkuar një sistem të pavarur gjyqësor.
Protestat nga shoqëria civile po organizohen pas dorëheqjes së ish prokurorit Elez Blakaj, që ka deklaruar se ishte i kërcënuar gjatë kohës sapo merrej me hetimin në listat e veteranëve të UÇK-së.
Ky është njoftimi i bërë në Facebook për protestën e së mërkurës, ku paralajmërohet se do të mbahen protesta të tjera nëpër të gjitha qytetet.
“Protesta e radhës mbahet në Prishtinë, të mërkurën më 29 gusht, nga ora 18:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, me kërkesat:
Drejtësi e pavarur
Shkarkimi i Kryeprokurorit
Vettingu i gjyqësorit
Kthimi i dinjitetit të veteranëve përmes pastrimit të listave të tyre nga mashtruesit si dhe kërkesa të tjera./Telegrafi/