Site icon Telegrafi

Shoqëria civile në përkrahje të protestës për shkarkimin e Lumezit

Protesta e paraparë të mbahet mbrëmjen e sotme në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku do të kërkohet shkarkimi i kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, si dhe vetingu për sistemin e drejtësisë, ka edhe përkrahjen e shoqërisë civile.

Në një letër dërguar mediave, 15 organizata të shoqërisë civile shpjegojnë arsyet pse mbështesin këtë organizim.

Pas dorëheqjes së ish prokurorit special z. Elez Blakaj, ne si organizata të shoqërisë civile përkrahim plotësisht protestën e organizuar nga grupi i qytetarëve për shkarkimin e kryeprokurorit të shtetit z. Aleksandër Lumezi. Letra shpjeguese e z. Blakaj sinjalizon integritetin e dobët të sistemit të drejtësisë, në veçanti prokurorisë së shtetit përballë ndërhyrjeve politike, shantazheve dhe kërcënimeve, që vijnë edhe nga vetë kryeprokurori i shtetit.

Ndërhyrjet e kryeprokurorit Lumezi për të shmangur përballjen e figurave të larta të politikës me procesin e drejtësisë janë alarmante për drejtësinë në Kosovë. Në anën tjetër përbëjnë fakte të mjaftueshme që ne si shoqëri civile dhe qytetarë të kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të tij.

Ne besojmë fuqishëm se vetëm një sistem i drejtësisë i pavarur, me integritet dhe imun ndaj interferimeve të politikës do të mund të garantojë sundimin e ligjit, që është parakusht për funksionimin e shtetit demokratik.

Dorëheqja e kryeprokurorit Lumezi, do të rriste besimin qytetarë në drejtësinë e pavarur, prandaj ne përkrahim protestën qytetare, dhe kërkojmë që përveç shkarkimit të tij të fillojë edhe procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë sikurse në të gjitha vendet e rajonit.

Ne u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të protestojnë sot për të garantuar një drejtësi të pavarur nesër!

Organizata e Shoqërisë Civile:

Demokraci Plus – D+

Grupi për Studime Juridike dhe Politike-GLPS

Iniciativa për Progres – INPO

Instituti Columbus

Instituti D4D

Instituti Demokratik i Kosovës – KDI

Instituti GAP

Instituti i Kosovës për Drejtësi – IKD

Instituti INDEP

Instituti KIPRED

Lëvizja FOL

Organizata Çohu!

Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim-ATRC

Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional- CLARD. /kp/Telegrafi/

Exit mobile version