Site icon Telegrafi

Shoqëria civile: MMPH dhe Komuna e Prishtinës përgjegjës për vdekjen e dy fëmijëve

Shoqëria civile vlerësoi të martën se Komuna e Prishtinës bashkë me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kanë përgjegjësi për ndërtimet dhe operimet në territorin ku ka ndodhur fatkeqësia javën e kaluar në lagjen Kolovica të Prishtinës, ku si pasojë humbën jetën dy fëmijë.

Shoqëria civile theksoi se me të njëjtin ritëm me të cilin kërkojnë pagesën e taksave dhe tatimeve përkatëse, këto institucione kanë obligim ligjor që të sigurojnë ligjshmërinë e operimit të secilit operator ekonomik dhe të parandalojnë veprimet e papërgjegjshme të cilat rrezikojnë shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

“Duke mos arritur të mbikëqyrin cilësinë e punëve dhe respektimin e ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, këto institucione bartin përgjegjësi për këtë tragjedi. Dorëheqja e drejtorit të Inspektoratit të Prishtinës duhet parë si përgjegjësi dhe parim mbi të cilin çdo zyrtar duhet të veprojë në raste të ngjashme. Megjithatë, kjo nuk është e mjaftueshme. Për rastin Kolovica duhet të kërkohet përgjegjësi penale për fajtorët”, thuhet në reagimin e shoqërisë civile.

“Ne, organizatat e poshtëshënuara, kërkojmë nga prokuroria e shtetit që të përshpejtoj hetimet e nevojshme për të përcaktuar të gjithë ata që mbajnë përgjegjësi penale për humbjen e jetëve të dy fëmijëve në Prishtinë. Gjithashtu, bartësit e institucioneve të lartpërmendura duhet të mbajnë përgjegjësi për neglizhimin e përgjegjësive të tyre ligjore, ndërsa e njëjta duhet të kërkohet edhe nga kompania që ka shpërfillur ligjet dhe rregulloret përkatëse”, thuhet në reagim.

Shoqëria civile po ashtu kërkoi nga komuna e Prishtinës dhe gjitha komunat e tjera, si dhe institucionet qendrore që të koordinohen në mes vete, në mënyrë që të parandalohen tragjedi të tilla në të ardhmen.

“Për më tepër është urgjente që institucionet lokale dhe qendrore të marrin përgjegjësitë që u takojnë në sigurimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, si parakusht për një jetë të dinjitetshme”, thuhet në reagim.

Organizatat nënshkruese: Autostrada Biennale, Community Building Mitrovica – CBM, EC Ma Ndryshe, ENCOMPASS, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile – KCSF, Fondacioni Lumbardhi, Fondacioni për Trashëgimi Kulturore LEGATUM, Fondacioni Trashëgimia Kulturore pa Kufij – CHwB, Grupi për Studime Juridike dhe Politike – GLPS, Iniciativa e Femrës Kosovare, Iniciativa Kosovare për Stabilitet – IKS, Iniciativa për Progres – INPO, Instituti Demokraci për Zhvillim – D4D, Instituti Demokratik i Kosovës – KDI, Instituti GAP, Konsumatori, Lëvizja FOL, OJQ THY, Qendra për Politika dhe Avokim – QPA, Varg e Vi, Zana. /Telegrafi/

Exit mobile version