Kërkesa e presidentit Thaçi drejtuar Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjet ndërkombëtare ka ngjallur reagime të shumta.
Kryeministri Haradinaj ka thënë sot se askush nuk ka vënë në pikëpyetje kompetencat e Presidentit, prandaj është mirë që edhe ai të mos cenojë kompetencat e kuvendit.
“Asnjëherë nuk kemi vënë në pikëpyetje funksionet e Presidentit, mirëpo nuk duhet të vihen në pikëpyetje as kompetencat e kuvendit”, deklaroi Haradinaj.
Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se në çfarëdo marrëveshje ndërkombëtare nuk mund të anashkalohet Kuvendi ngase sipas tij kushtetuta është shumë e qartë në këtë drejtim.
“Kushtetuta e Kosovës është shumë e qartë në këso raste, ngase edhe nëse amandamentohen ose tërhiqemi nga marrëveshjet ndërkombëtare, procedura është e njëjtë ashtu siç janë miratuar. Shembull është vazhdimi i mandatit të EULEX-it, është dashur të dërgohet për miratim në kuvend me 2/3 e votave”, ka deklaruar Florent Spahija nga KDI.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi shprehet se një veprim i tillë lidhet me funksionalizimin e Gjykatës Speciale.
“Kjo kërkesë ka të bëj me funksionalizimin apo zbatimin e disa urdhëresave që mund të ndodhin gjatë këtij viti. Flasim për një marrëveshje që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës me 2/3 e votave, dhe nëse kjo Gjykatë Kushtetuese nga përvojat e mëhershme do të ishte në gjendje të jep një interpretim kësaj dispozite që nuk do të përkonte me vetë frymën e kushtetutës, do t’i mundësonte presidentit që në procese të rëndësishme ku do të duhej që kuvendi të merrte vendime, ai do t’i merrte vet”, tha Miftaraj./Telegrafi/