Site icon Telegrafi

Shoqëria civile kritikon Ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme: Pasojat do të shihen në procesin e ardhshëm zgjedhor

Kuvendi i Kosovës miratoi sot projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme, në të dy leximet brenda të njëjtës seancë.

Me këtë rast kanë reaguar organizatat e shoqërisë civile.

Sipas tyre praktikat e miratimit të projektligjeve të rëndësishme në procedura të përshpejtuara janë në kundërshtim dhe të dëmshme për standardet  e jetës parlamentare.

“Ky projektligj, nuk adreson nevojën për reformë zgjedhore, që u proklamua si e tillë edhe në vetë emrin e komisionit ad-hoc. Për më tepër, përmbajtja e këtij projektligji përveç pjesës ‘kozmetike’ , nuk adreson shumë prej mangësive përmbajtjesore të sistemit. e në disa raste veçse i përkeqëson ato”.

Nga shoqëria civile thonë se në esencë, ky projektligj reflekton më shumë një kompromis midis partive politike të cilat sipas OJV-së, kanë shtyrë përpara interesat e tyre në raport me integritetin e kandidatëve, votimin preferencial, votimin jashtë vendit dhe pavarësinë e KQZ-së.

“Këto çështje nuk janë adresuar as gjatë punës së komisionit ad-hoc, por as në kuadër të angazhimit tonë para votimit të projektligjit në seancë. Për më shumë, as propozimet dhe amendamentet konkrete që kemi propozuar sot lidhur me çështjen e integritetit të kandidatëve dhe pavarësisë së KQZ-së, nuk janë marrë parasysh nga Komisioni Parlamentar për Legjislacion”.

Lexo po ashtu Kuvendi miratoi Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme

“Ndonëse me efektet të cilat do të  cenojnë vlerat dhe standardet dhe integritetin zgjedhor, me këto pasoja të këtij projektligji do të ballafaqohemi qysh në procesin e ardhshëm zgjedhor. Lista e kandidatëve dhe të zgjedhurit që mund të jenë pjesë e pjesë e Kuvendit të Kosovës, kuvendeve komunale apo kryetarë të komunave, potencialisht do të jenë individë të dënuar për vepra penale me më pak se një vit burgim, me kusht apo me gjobë – e që përbëjnë rreth 80% të rasteve vetëm viteve të fundit. Në anën tjetër, pozita e Kryesuesit dhe anëtarëve të KQZ-së do të politizohen dhe do dëmtohet kredibiliteti dhe imazhi i këtij institucioni të pavarur, për shkak se shkarkimi i tyre për shkelje të integritetit do të mund të bëhet vetëm me miratim të 2/3 të anëtarëve”.

“Ne shprehim kundërshtimin tonë dhe vazhdojmë të alarmojmë publikun dhe të gjithë akterët se reforma zgjedhore, e nisur para më shumë se një dekade, u shfrytëzua nga partitë politike për akomodim të interesave partiake në dëm të integritetit zgjedhor, e jo me qëllim burimor të përmirësimit të sistemit zgjedhor dhe nivelit të përfaqësimit politik në Kosovë”.

Koalicioni i OJQ-ve të cilët janë të angazhuar për rritjen e integritet zgjedhor, duke vlerësuar këtë ligj të një rëndësie të veçantë për nivelin e demokracisë Kosovare, kanë paralajmëruar se do të ndjekin edhe format tjera për kundërshtimin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, i cili do t’a cenojë integritetin zgjedhor.

Organizatat përkrahëse: Demokraci për Zhvillim (D4D), Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL, Organizata ÇOHU./Telegrafi/

Exit mobile version