Telegrafi

Shoqëria civile kërkon të shuhet ndërmarrja që u themelua për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”

Konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile i përbërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), kanë shprehur shqetësimin e thellë lidhur me “mosveprimin e Qeverisë së Kosovës në raport me ndërmarrjen publike Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës (NKEC)”.

Sipas tyre, kjo ndërmarrje kryen shpenzime buxhetore nga paratë publike, ndonëse nuk kryen asnjë funksion në tregun e energjisë në Kosovë.

“NKEC ishte themeluar për të menaxhuar kontratën e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”, marrëveshje në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Contour Global, projekt ky tashmë i anuluar. Megjithatë, NKEC nuk ka nisur asnjëherë operimin efektiv, duke mos mbuluar asnjë pjesë në tregun e energjisë në vend, përkundër prezantimit të planeve të biznesit tek Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike (Njësia) pranë Ministrisë së Ekonomisë në vitet 2020 dhe 2021”, thuhet në komunikatën për media.

Nga shoqëria civile kanë cituar edhe një komunikatë të datës 27 mars 2019 të Lëvizjes Vetëvendosje,  në të cilën ishte thënë se “NKEC do të jetë ‘vrima e zezë’ e buxhetit të Kosovës në dekadat e ardhshme.”

“Për më tepër, në qershor të këtij viti, Qeveria e Kosovës emëroi anëtarët e ri të bordit të kësaj ndërmarrje, pas shkarkimit të bordit të vjetër, pavarësisht që ndërmarrja mbetet jo aktive. Për më tepër, në bordin aktual ka anëtarë të emëruar në kundërshtim me Ligjin për ndërmarrjet publike. Anëtarja e bordit, znj. Elvisa Destanovic ka garuar me iniciativën “INICJATIVA BOSNJACKOG JEDINTSVA” në garën për zgjedhjet komunale për Kuvendin e Istogut në vitin 2021. Sipas Ligjit për Ndërmarrjet publike, askush nuk mund të emërohet në Bordin e Drejtorëve nëse “është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”.

Tutje thuhet se projekti “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit përmes Ambasadës britanike në Prishtinë.

“Përmbajtja e këtij reagimi është përgjegjësi e vetme e organizatave zbatuese dhe nuk i reflekton qëndrimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar”. /Telegrafi/