Qe të mos keni një qeveri me ministri të panevojshme e me një numër të madh të zëvendës ministrave, duhet patjetër që të kemi një ligj për qeverinë. Kështu thonë njohësit e çështjeve politike, e ata madje shprehen se edhe qeveria e ardhshme do ta vazhdojë këtë trend.
Mungesa Ligjit për Qeverinë, i mundëson partive politike që të udhëheqin në të ardhmen duke krijuar qeveri të mëdha dhe me numër të madh të ministrive e zëvendësministrave.
Visar Rushiti nga organizata “Demokracia Plus”, thotë se për shkak të mungesës së ligjit, Qeveria çdo herë ka shkuar duke u rritur. Sipas tij, ky trend do të vazhdoj edhe me qeverinë e ardhshme të Kosovës.
“Qeveria e kaluar i ka pasur 19 ministri. Qeveria e fundit ka shtuar edhe dy duke arritur numrin 21. Pra, në bazë të këtij trendi unë nuk besoj që partitë politike nesër të përfaqësuara në koalicionin qeveritar do të shkojnë me më pak ministri. Ndoshta do të kenë një më pak, por nuk besoj në ulje drastike në tre, katër apo më shumë”, tha për RTV Dukagjinin, Visar Rushiti.
Ndërsa, Besnik Muçaj nga Instituti Kosovar për Qeverisjen Lokale, thotë se është duke u punuar në Ligjin për Qeverinë. Sipas tij, nëse miratohet qeveria e ardhshme do ta ketë shumë më të lehtë funksionimin.
“Fuzionimi i strukturës qeverisëse nuk do të kishte efekt vetëm në reduktimin e kabineteve dhe uljen e numrit të këshilltarëve por para se gjithash do të shmangte copëzimin e politikave dhe buxheteve”, tha Besnik Muçaj, përcjell Telegrafi.
Qeveria e Kosovës tani më në largim, është një prej qeverive më të mëdha në Evropë pasi përbëhet nga gjithsejtë 21 ministra, 5 zëvendëskryeministra si dhe rreth 80 zëvendësministra. /RTV Dukagjini/Telegrafi/