Jetojmë në një shoqëri me përplot paradokse, absurditete e probleme:
Ku mjeku duhanpirës rekomandon të mos konsumohet duhani se i dëmton mushkëritë dhe para se me të pyet ku të dhemb të pyet ku punon;
Ku politikani milioner tenderokrat thotë se korrupsioni e dëmton shtetin;
Ku doktori i diplomuar pas darke thotë se plagjiatura e degradon cilësinë e arsimit;
Ku gazetari në emër të lirisë së shprehjes fyen ata që shprehen ndryshe;
Ku familjari i dëshmorëve e luan rolin e institucionit të shtetit;
Ku ai që shitet patriot blen produkte të Serbisë;
Ku identiteti projektohet nga të tjerët si kompleks inferioriteti;
Ku Burdushi fton mos me ra viktimë e falltorëve;
Ku studenti kritik ndaj profesorit kopjon sa herë t’i ofrohet mundësia;
Ku kritika ndaj diskursit klerik konsiderohet devijim nga religjioni;
Ku imazhet fatale dhe tragjike të viktimave publikohen në medie;
Ku njerëzit gjykohen çfarë kanë mbi kokë dhe jo brenda kokës;
Ku studentët e nivelit Master ende kanë probleme në drejtshkrim;
Ku juristi i diplomuar punon kamerier e kamerieri i dikurshëm avokat;
Ku laminati i shtëpive është më i fortë se asfalti i rrugëve;
Ku ata që flasin për barazi mbajnë 3-4 vende pune e dikush asnjë;
Ku disa politikanë kanë të ardhura ditore më shumë se të ardhurat vjetore të votuesve të tyre;
Ku personat me përgjegjësi publike japin publikisht mendime personale;
Ku vëmendja e publikut zhvendoset me një trik tendencioz gazetaresk;
Ku parimet shiten si perime;
Ku artisti në emër të realitetit socio-politik shfaqet në personazhe inferiore me vetëdije neokoloniale;
Ku sulmi ndaj religjionit konsiderohet emancipim dhe afirmim;
Ku ata që mbajnë rend në trafik hyjnë në semafor të kuq;
Ku kardiologu pacientin me 200 rrahje në minutë e qetëson duke ia dhënë adresën e ordinancës së tij private dhe ku stendat e zemrës s’dallojnë prej protezave të dhëmbëve;
Ku ai që e shkel me veturë njeriun në rrugë nuk ndalet por ik nga vendi i aksidentit;
Ku konkurset e punës publikohen pasi të njofshmit të pranohen;
Ku kontratat e punës bëhen me një thirrje telefoni dhe me një transfer parash;
Ku kreditë me kamata të larta bankare joshen me idetë e rehabilitimit të përhershëm jetësor;
Ku nudistet bëhen më të famshme e më të kërkuara se njerëzit e shkencës;
Ku hoxha me retorikë të ashpër e autoritative fton në butësi e liri;
Ku prifti në emër të atdhedashurisë fyen pjesëtarët e kombit të vet;
Ku i indoktrinuari nga propaganda mundohet me të bind se Tita s’ka qenë kriminel dhe i indoktrinuari nga ISIS-i mundohet me të bind se ata kanë me sjellë paqen hyjnore në botë;
Ku këngëtari që i këndon vlerave të shoqërisë dhe biznesmeni që i kontribuon kapitalit të biznesit s’paguajnë asnjë cent tatim;
Ku disa liderë s’dinë as letrat e shkruara t’i lexojnë;
Ku patentë-shoferi blihet sikur libri;
Ku krijohen lajme të kota për konsum e tirazhe;
Ku lidhja emocionale dhe investive jashtë shtëpisë e oborrit humb tërësisht;
Ku margjinalizimi konsiderohet qasje e qytetëruar;
Ku erotika zë një hapësirë të madhe në medie;
Ku mendimet e ndryshme perspektiviste marrin 1001 etiketime;
Ku në debate televizive polemizohet për çështje hipotetike nga ekspertë të kundërt ku njëri është kompetent për të nxjerrë fakte e tjetri për të nxjerrë dhëmbë;
Ku sarkazma fyese interpretohet si artistike e kreative;
Ku analisti shet mend në publik e ndaj pushtetit s’guxon të shfaqet kritik;
Ku pushtetari për të vepru në territorin e vet duhet të marrë leje prej fqinjit armik;
Ku e ku…!!!