Telegrafi

Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së reagojnë pasi flamuri i Serbisë u pa në kullën e vrojtimit në Koshare

Organizata e Veteranëve të Luftës e UÇK-së në Pejë ka reaguar pasi në media ka qarkulluar një fotografi e një flamuri serb në kullën e vrojtimit në Koshare.

Për OVL UÇK Pejë kjo foto e flamurit serb në mesin e shumë flamujve të shqyer kombëtarë është provokim për shqiptarët.

“Për luftëtarët e UÇK-së dhe familjet e të rënëve për liri, kjo është një fyerje e rëndë nga Serbia në prag 22-vjetorit të Çlirimit, me faktin se një gjë e tillë ndodh shumë afër varrezave, ku pushojnë Heronjtë e Brigadës 138 Agim Ramadani”, thuhet në reagimin e OVL UÇK në Pejë.

Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së në Dukagjin kanë kërkuar nga shteti i Kosovës të marrin masa dhe të dënojnë fajtorët e këtyre veprave.

“Qeveria e vendit, organet e sigurisë, të marrin masa që të ndalen përgjithmonë këto dukuri të shëmtuara dhe që fajtorët të dënohen. Në të kundërtën çfarë na mbetet ne? Të heqim dorë edhe nga kjo shtetësi që e kemi, pasi që as në shtetin që e ndërtuam vet, nuk ndjehemi më të sigurt”.

“Ju përgjegjësit e institucioneve shtetërore dhe atyre të sigurisë, nëse nuk doni ose nuk dini të mbani shtet, deklarohuni dhe lëshoni rrugë”, thuhet në fund të reagimit të Shoqatave të dala nga Lufta e UÇK-së në Dukagjin.

Ende nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtarë nga institucionet e shtetit në lidhje me këtë raportim të mediave dhe nuk dihet nëse fotografia është e ditëve të fundit./Telegrafi/