Site icon Telegrafi

Shoqatat e biznesit në Shqipëri dalin pro amnistisë fiskale, me kusht të luftohet informaliteti

Shoqatat e biznesit në Shqipëri duket se kanë ndërruar anë në qëndrimin e tyre për amnistinë fiskale.

Në një deklaratë të përbashkët, në emër të sipërmarrjes shqiptare, ata i bëjnë thirrje politikës dhe qeverisë të shohin interesin e bizneseve.

“ Nga ana tjetër, jemi të bindur që pas 32 viteve, ekonomi të lirë tregu dhe demokraci, qeveria duhet të interesohet më shumë për mirëqenien e qytetarit dhe sipërmarrjes shqiptare, sesa për opinionin e institucioneve ndërkombëtare, aq më tepër që në shumicën e këtyre vendeve në kohë të ndryshme është implementuar dhe zbatuar amnistia fiskale”, tha Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Bizneset vetë, kush më shumë e kush më pak, shprehen se do të përfitojnë nga amnistia, por kërkohen instrumente, që më pas të luftohet informaliteti.

“Jam i bindur që në tërësi, sipërmarrja private, dikush më shumë e dikush më pak, kanë për të deklaruar dhe për të qenë pjesë e amnistisë fiskale. Duhet garantuar sipërmarrja se të gjithë do të jenë të barabartë para ligjit, në rast të kundërt do të jetë qoka e radhës, që klasa politike ka 32 vjet që e bën me ekonominë shqiptare”, ka shtuar Jaka.

Ndër të tjera, në deklaratë kërkohet ulja e ngarkesës fiskale, si masa kryesore që duhet të ndërmarrë qeveria për përballimin e rritjes së çmimeve në tregun botëror. /Telegrafi/

 

Exit mobile version