Site icon Telegrafi

Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve ndan çmimet “Hasan Prishtina” për 24 komuna

Në shënim të 24-vjetorit të eksodit të shqiptarëve të Kosovës, në Bllacë është mbajtur manifestimi përkujtimor “Eksodi Bllaca 99”.

Shoqata për Kthimin e Shqiptareve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, ka ndarë çmimet “Hasan Prishtina” për 24 komuna, bashkësi lokale, shoqata humanitare, organizata joqeveritare e mediume nga RMV, që ndihmuan refugjatët kosovarë gjatë kohës së luftës të vitit 1998-99.

Kryetari i Shoqatës për kthimin e shqiptarëve, Jahja Lluka ka falënderuar gjithë qytetarët e Tetovës për kontributin e tyre për shqiptarët e Kosovës.

Lluka ka theksuar se më e mira e “Bllacës 99” është fitorja e refugjatëve shqiptarë.

“440 mijë njerëz, kanë kaluar në Bllacë dhe nuk e di a i’u ka bërë më keq balta, sepse aty ka qenë një moqal dhe mos e shikoni si është sot se falë komunës, Agjencionit të Qeverisë së Kosovës, që kanë marrë vendim që të bëhet memoriali, ka ndryshime të mëdha…Po shfrytëzoj rastin ta falënderoj kryetarin e Tetovës, se kur Grigorovi i ka mbush autobusët për t’i larguar nga Maqedonia, qytetarët e Tetovës e kanë bllokuar autostradën dhe i kanë kthyer autobusët mbrapa për të qenë refugjatët shqiptarë sa më afër Kosovës… Dhe më e mira e Bllacës 99, është pas fitores së UÇK-së, është fitorja e refugjatëve shqiptarë, të cilët të gjitha programet antishqiptare i hodhën në Lepenc dhe i’a dërguan pak më larg. Nuk ka mundësi asnjë serb, akademi e shkencave, as Kisha Ortodokse, të bëjë projekte për devijimin e shqiptarëve”, tha Lluka.

Sipas tij, Komuna e Prishtinës e ka për obligim të ndihmojë memorialin në Hanin e Elezit, sepse siç thotë ai ka buxhet për të bërë diçka të mirë të përbashkët.

“Prishtina e ka për obligim të jetë në krahë të Hanit të Elezit dhe ta ndihmojë Hanin e Elezit, memorialin, sepse Prishtina ka buxhet, të cilin nuk mundemi ta harxhojmë dhe më mirë është të harxhohet për një të mirë të përbashkët”, tha Lluka.

Kryetari i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi muajin prill e quajti si të kobshëm për gjithë shqiptarët e Kosovës, pasi tha se mijëra shqiptarë nga e gjithë Kosova ishin drejtuar drejtë kufirit me Maqedoninë të dëbuar me dhunë nga forcat serbe.

“Prilli i vitit 99, ishte i kobshëm për shqiptaret e Kosovës. Ishte kohë e zymtë që kishte ngrirë buzëqeshjen e tyre, në fytyrat e shqiptarëve, ishte acar që po dëbonte trupat e tyre dhe këta mijëra shqiptarë nga e gjithë Kosova ishin drejtuar drejtë kufirit me Maqedoninë, sepse dhunshëm po dëboheshin nga uzurpatori serb, duke u detyruar të lënë shtëpitë e tyre dhe jetët në mëshirën e fatit, sepse uzurpatori ishte i pamëshirshëm dhe askush nuk e dinte se si do të përfundonte rruga larg shtëpive të tyre. Të dhimbshme janë ato pamje të Bllacës 99, ku nuk janë kursyer as pleqtë, as nënat e reja, as foshnjet e sapo lindura, por ato kujtime duhet murosur për të mos harruar asnjëherë se kush na dhunoi, kush na dëboi dhe kush deshi të na spastronte etnikisht”, tha Ballazhi.

Mes tjerash, ai theksoi se Bllaca e vitit 99-të është simbol i tragjedisë shqiptare.

“Bllaca 99-të, është simbol i tragjedisë së shqiptarëve, njëkohësisht është shenjë e qëndrueshmërisë shqiptare, të cilët përballuan kohën e ftohtë të pyllit, të pa pirë dhe të pa ngrënë, duke bërë gjumin në kampet e improvizuara”, tha mes tjerash Ballazhi.

Eksodi, apo dëbimi shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre, ka arritur kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi).

Para dy vitesh, për të kujtuar ditët e shpërnguljes më dhunë të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre dhe vuajtjet e tyre nga regjimi serb në Qendrën Përkujtimore “Bllaca ‘99” në Han të Elezit është inauguruar monumenti “Muri i Kujtesës” si dhe parku “Hasan Prishtina”.

Monumenti “Muri i Kujtesës” është një mozaik që simbolizon sakrificën e nënës shqiptare, bashkë me emrat e disa prej personaliteteve të shquara botërore që kontribuuan në çlirimin e Kosovës, një vepër kjo artistike-monumentale që shpreh më së miri kujtimin dhe respektin për të gjithë ata që sollën lirinë dhe pavarësinë e shumëpritur. Eksodi i shqiptarëve shënohet edhe në Kukës, çdo 16 prill.

Exit mobile version