Site icon Telegrafi

Shoqata “Orkide” bashkon gratë në Prizren për aktivizmin kundër dhunës deri tek punimet artizanale

Në kuadër të fushatës së 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, shoqata e grave “Orkide” në Prizren ka realizuar diskutimin mbi të drejtat e grave dhe qasjen e tyre në drejtësi.

Në këtë aktivitet, sipas njoftimit, folëse ka qenë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Në të njëjtën kohë është hapur edhe ekspozita me punimet artizanale të anëtareve të kësaj shoqate, raporton Telegrafi.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu para të pranishmëve ka folur lidhur me veprimet e ndërmarra nga ky dikaster qeveritar për parandalimin dhe eliminimin e dhunës në familje, por edhe qasjen e grave në drejtësi. Ajo ka pranuar se ka sfida shkaku i mendësisë patriarkale, por ka kërkuar unitet mes grave për tejkalimin e vështirësive aktuale.

“Është e rëndësishme të theksohet se vajzat dhe gratë në Republikën e Kosovës duhet të trajtohen njësoj si djemtë ashtu edhe burrat. Pra ka një përkushtim shumë të madh të institucioneve në këtë drejtim. Por e kuptoj që duke u përballur me mentalitetin patriarkal kemi pasur sfida gjatë rrugës, por kur jemi bashkë, kur jemi me njëra tjetrën, kur e ndihmojmë njëra tjetrën, kur jemi solidare, jam e bindur që pavarësisht sfidave që i kemi gjatë rrugës gjithçka apo çfarëdo guri që na del në mes ne mund ta tejkalojmë”, ka thënë Haxhiu.

Ndërkaq kryetarja e shoqatës së grave “Orkide”, Sevgi Kervan ka theksuar se në kuadër të fushatës 16 ditore janë realizuar aktivitete të ndryshme ndërgjegjësuese kundër dhunës në familje, përfshirë vendosjen e luleve artizanale me mesazhe ditë me parë në njërën prej urave në qendër të Prizrenit.

“Ndërkaq tani nga njëra anë diskutojmë të drejtat e grave dhe qasjen e tyre në drejtësi, por në të njëjtën kohë hapim edhe ekspozitën, ku shohim edhe fuqinë e grave të mishëruara në punimet e bukura artizanale të krijuara nga duart e tyre të buta”, ka thënë Kervan.

Ajo ka theksuar se kjo shoqatë përmes këtyre aktiviteteve vazhdon që ta promovojë fuqinë e gjithanshme të gruas, raporton Telegrafi.

“Me punimet artizanale, ruajmë traditat tona, ndërkohë që i përshtatim ato me kohën moderne për t’i transmetuar vlerat tek brezat e ardhshëm. Përmes këtij angazhimi, ofrojmë ide e hapësira të reja pune për gratë, duke i inkurajuar ato që të fuqizohen edhe ekonomikisht”, ka thënë Kervan.

Aktivitetet në fjalë janë realizuar në Qendrën “Yunus Emre” në Prizren. /Telegrafi/

Exit mobile version