Nëntëdhjetë organizata të shoqërisë civile dhe aktivistë nga rajoni u bënë thirrje të hënën autoriteteve serbe ta rishqyrtojnë vendimin për ndalimin e mbajtjes së festivalit “Mirëdita, dobar dan” në Beograd, si dhe t’i mbrojnë organizatorët e tij.
“Ne e dënojmë vendimin e autoriteteve në Serbi për ndalimin e festivalit vetëm sepse u sulmua nga struktura kriminale, anëtarë të grupeve të djathta që kërcënojnë sigurinë dhe kërcënojnë më rëndë organizatorët dhe pjesëmarrësit e tij”, thuhet në deklaratën e përbashkët të shoqatave nga Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Ato dhanë “mbështetje të fortë për kolegët e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut dhe Iniciativën Qytetare nga Serbia, si dhe për Integra nga Kosova, festivali i të cilëve, që promovon miqësinë dhe bashkëpunimin midis popullit serb dhe shqiptar, është ndaluar në Serbi”.
Ato shprehën “shqetësim serioz për qëndrimin negativ” të zyrtarëve më të lartë të Serbisë ndaj festivalit.
“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve serbe që të rishqyrtojnë vendimin për ndalimin, të mbrojnë kolegët tanë dhe të sanksionojnë të gjithë ata që kërcënojnë sigurinë e tyre”, thuhet në njoftim.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë më 27 qershor urdhëroi që festivali të mos mbahej, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë.
Paraprakisht, gjatë 27 qershorit grupe të djathtistëve dhe tifozëve bllokuan hyrjen në zonën ku ishte paraparë të bëhej hapja e festivalit.
Policia, e cila nuk ndodhej në vendngjarje, shumë shpejt urdhëroi “ndërprerjen” e festivalit për shkak të “rrezikimit të sigurisë”.
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha se nuk ka parë arsye që në Serbi të ketë festival sikurse “Mirëdita, dobar dan”, duke theksuar se personalisht beson se përgjigja më e mirë ndaj organizatorëve të ngjarjes është “shpërfillja”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se me vendimin e autoriteteve serbe për ndalimin e mbajtjes së festivalit, Serbia shfaqi “përsëri armiqësinë e saj të paepur ndaj çdo gjëje që ka të bëjë me paqe dhe pajtim”.
Ndalimi i festivalit u dënua nga disa parti opozitare në Serbi, ndërsa Bashkimi Evropian shprehu keqardhje.
Një nga organizatoret e festivalit “Mirëdita, dobar dan”, Sofija Todoroviq, u kërcënua përmes një letre që i është dërguar në adresë të saj, jë ditë pasi autoritetet shtetërore serbe ndaluan mbajtjen e këtij festivali në Beograd.
Letra kërcënuese u shoqërua edhe me një kuti, brenda së cilës ishte vendosur koka e prerë e një derri.
Në letër thuhej se “situata në botë po ndryshon dhe kohë të tjera po vijnë”.
Letra kërcënuese u nënshkrua nga “Patrulla Popullore”. Kjo është një organizatë e paregjistruar ultra-djathtiste, e njohur për veprimet e saj kundër emigrantëve dhe lidhjeve ideologjike që ka me grupet nga Federata Ruse.
Prokuroria në Beograd urdhëroi identifikimin e personit që dërgoi pakon me mesazhin kërcënues.
Festivali “Mirëdita, dobar dan” mbahet herë në Kosovë dhe herë në Serbi prej vitit 2014 dhe qëllimi i tij është përmirësimi i bashkëpunimit kulturor mes artistëve të Kosovës dhe Serbisë.