Site icon Telegrafi

Shoqata e Transportit proteston sërish të hënën, thonë se ky është sinjali i fundit për Qeverinë

Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj ka thënë se protesta e sotme duhet të jetë alarmi i fundit për Qeverinë që të realizoj pagesën për transportuesit e udhëtarëve.

Kurtishaj tha se rreth 250 autobusë kanë marrë pjesë sot në protestë.

“Numri i autobusëve që kanë marrë pjesë sot në këtë protestë ka qenë 200 rreth 250 dhe kjo ka qenë me kërkesën tonë që të zvogëlohet ky numër për shkak të mos krijimit të probleme në komunikacion. Ky duhet të jetë një alarm i fundit për Qeverinë, që të merr vendim për realizimin e pagesës për ti dalë në ndihmë operatorëve të këtij sektori të cilët pësuan humbje të mëdha gjatë pandemisë me vendimet e Qeverisë”, tha Kurtishaj.

Lexo po ashtu Protesta e Shoqatës së transportit rrugor, parakalojnë qindra autobus nga “Veterniku” në drejtim të Qeverisë

Ai shtoi se qysh nga muaji korrik i 2020-ës kanë marrë premtime që do të mbështeten financiarisht për dëmet që i janë shkaktuar atyre nga pandemia Covid-19.

“Ne kemi qenë shumë të hapur për dialog. Qeveria si duket e ka pasur të themi një lloj premtimi të rrejshëm dhe nënshkrimi i asaj marrëveshje duket se është i rrejshëm. I bëj thirrje Qeverisë që të mos i ndërrojë qëndrimet”, ka thënë Kurtishaj.

Kurtishaj ka theksuar një protestë e tillë do të mbahet edhe të hënën.

“Ne morëm vendimin që të hënën në orën 10:00 ne do ta kemi një marsh por jo në lëvizje, para Qeverisë së Kosovës. Kërkesa është që të vijmë me njëmijë autobusë dhe të bllokojmë Prishtinën por ky nuk është interesi ynë. Në do ta bëjmë si simbolikë edhe ditën e hënën prapë për dy orë me 200 ose 300 autobusë”, ka thënë ai. /Telegrafi/

Exit mobile version