Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë përmes një konference për media kanë kërkuar ndërprerje të grevës së mjekëve si dhe fillimin e një reforme në sistemin shëndetësor.
Besim Kodra, drejtori i kësaj shoqate tha se Kosova ka një sistem shëndetësor jo të volitshëm për qytetarët.
Ai e ka konsideruar të padinjitetshme mënyrën se si është zgjedhur të mbahet greva.
Sipas tij, kërkesa e mjekëve nuk duhet të jetë vetëm ngritja e pagave, por duhet të kërkojnë edhe mjete e kushte shëndetësore.
“Konsiderojmë se greva duhet të ndërpritet sepse nuk është momenti i duhur pasi që edhe Kuvendi është në pushim. I ftojmë mjekët ta ndërpresin grevën”, tha ai.
Tutje ai tha se mosofrimi i ndihmës në rastet emergjente përbën shkelje ligjore.