Site icon Telegrafi

Shoqata e të drejtave të pacientëve: E papranueshme që stafi mjekësor t’i “përdorë” pacientët për rritjen e pagave

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka shprehur shqetësim për gjendjen e pacientëve pas hyrjes së stafit shëndetësor në grevë.

PRAK thekson se është e papranueshme që stafi mjekësor t’i përdorë pacientët si “mish për top” në “luftën” që ata po bëjnë me Qeverinë për rritjen e pagave të tyre.

“Viktimizimi i pacientëve në këtë mënyrë, është i padrejtë kur e dimë se ka masa të tjera që mund të përdoren, siç është p.sh. protesta”, thuhet në reagimin e PRAK-ut.

Sipas PRAK-ut, stafi shëndetësor duhet të ketë paga në përputhje me detyrat, përgjegjësitë dhe punën që bëjnë.

“Kjo gjë mund të arrihet vetëm përmes ndërrimit të mënyrës së pagesës, përkatësisht duke e ndarë blerësin nga ofruesi i shërbimit shëndetësor dhe duke e aplikuar pagesën për performancë. Forma të tjera që janë aplikuar deri më tani, por edhe rritja e pagave të stafit mjekësor në të kaluarën, nuk e kanë përmirësuar cilësinë e shërbimeve, ajo ka mbetur e njëjtë edhe 20 vite pas luftës. Prandaj, e vetmja zgjidhje është që të ndahet blerësi nga ofruesi i shërbimeve shëndetësore, përkatësisht implementimi i skemës së Sigurimeve Shëndetësore”, thuhet në reagim.

Shoqata e të drejtave të pacientëve e thekson edhe më shqetësues faktin kur një pjesë e stafit mjekësor jashtë organizimit sindikal ka hyrë në grevë.

“Për këtë i ftojmë organet e drejtësisë të nisin procedura gjyqësore, pasi që një grevë e tillë është e pa ligjshme dhe krijon anarki. Përmes kësaj komunikate, ju bëjmë thirrje përfaqësuesve sindikal që ta ndërpresin grevën dhe Qeverisë së Kosovës të reflektoj ndaj kërkesave të grevistëve”, thuhet në reagim. /Telegrafi/

Exit mobile version