Telegrafi

Shoqata e shpediterëve të brendshëm dhe ndërkombëtar të Kosovës pranohet në FIATA

Shoqata e shpediterëve vendor dhe ndërkombëtar të Kosovës (SHSHVN) është pranuar si anëtare me të drejta të plota në FIATA – Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Shpediterëve.

Kryetari i Shoqatës, Jeton Vokshi tha se falë angazhimeve të vazhdueshme e të gjata, SHSHVN ka arritur një sukses të madh duke siguruar anëtarësimin, si anëtare me të drejta të plota, në FIATA.

Gjithashtu, shoqata ka arritur që të anëtarësohet, si anëtare mysafire për një periudhë fillestare, në Shoqatën e Shpediterëve të Evropës Juglindore (SEEFF), përkundër kundërshtimit nga ana e Shoqatës së shpediterëve të Serbisë.

Me këtë të arritur, eliminohen shumë pengesa e barriera që kanë vuajtur prodhuesit dhe transportuesit kosovar por edhe krijohen mundësi për bashkëpunim me organizatat simotra dhe me organizata ndërkombëtare që promovojnë dhe mbrojnë interesin e kësaj industrie, thuhet në njoftim.

Për më tepër, anëtarësimi në FIATA i hap rrugë anëtarësimit edhe në organizata tjera që ndihmojnë transportin e mallrave nga Kosova dhe nëpër Kosovë.

Menjëherë SHSHVN është ftuar që të marrë pjesë në konferencën e radhës të FIATA-s që do të mbahet në Sofje të Bullgarisë.

Shoqata e shpediterëve vendor dhe ndërkombëtar të Kosovës (SHSHVN), është shoqatë e agjencioneve doganore profesionale, kompanive shpeditere dhe logjistike, e krijuar në vitin 2005 nën ombrellën e Odës Ekonomike të Kosovës dhe aktualisht ka 354 anëtarë. /Telegrafi/